Zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri ka njoftuar se është djegur vetura e kryesuesit të kuvendit komunal në Leposaviq, Gorski Guriç.
Vokrri thotë se djegia e veturës vjen pas kërcënimeve të militantëve të Radoiçiqit.
“Djegia e veturës së Kryesuesit të Kuvendit Komunal në Leposaviq, z. Gorski Guriç, vie pas shpeshtimit të kërcënimeve nga militantët e Radoiqiç, kundrejt serbëve që i kanë përzënë nga oborret dhe institucionet. Dje e patë grafitin “JE I VDEKUR!” në veturën e z. Sladjan Mijajloviç, zyrtar komunal në Leposaviq. Edhe maltretimi fizik i kolegëve të këtyre nga ana e shërbimit sekret dhe policisë së regjimit fashist të Beogradit, sa herë kalojnë tek familjarët në Serbi, bëhen me të njëjtin mesazh: mos u afroni me shqiptarët e mos e pranoni Kosovën për shtetin tuaj”, thotë ai.
Më tej, ai ka shtuar se ” sot më shumë se kurrë duhet të shfaqim mirënjohje dhe t’i inkurajojmë qytetarët serbë të Republikës së Kosovës që të mos gjunjëzohen nga presioni i terroristëve, por as nga propaganda e disa mediave tona të cilat ia bëjnë argatin Vuçiqit në agjendën për destabilizim dhe gjymtim të Kosovës”.
“Angazhimi im në veri ka qenë dhe vazhdon të jetë për afirmim dhe kurajim të serbëve që të mos ndihen të braktisur e të tradhtuar për besnikërinë e tyre në ndërtim të institucioneve tona”.
Lidhur me rastin ka njoftuar edhe Policia e Kosovës.
“Me datë 28.01.2024, rreth orës 04:20 Policia e Kosovës ka pranuar informatën se në Leposaviq një veturë është duke u djegur. Sipas informative fillestare cak i djegies ka qenë vetura e tipit Fiat Punto, me targa të Republikës së Kosovës. Në këtë rast raportohet që ankuesi është mashkull serb (Kryetar i Kuvendit në Kuvendin Komunal në Leposaviq)”.
Policia po ashtu ka bërë të ditur se në afërsi të veturës te motori është hasur një shishe plastike dhe një leckë e cila kundërmon në benzinë e që dyshohet se është vendosur si ndezës për ta djegur veturën.