Sekretari i Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Grant Shapps, falënderoi dhe ndau Medaljen e Shërbimit Operativ (OSM) për personelin e Batalionit të Parë të Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit që kontribuoi në operacionet paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), ndërsa ky vit shënon 25-vjetorin e misionit të NATO-s në vend.
“Burrat dhe gratë e guximshme të Regjimentit Mbretëror të Batalionit të Parë të Princeshës së Uellsit kanë bërë krenare Mbretërinë e Bashkuar dhe ishte një privilegj i madh për mua t’u ndaja atyre medalje për rolin e tyre në këtë mision vendimtar të NATO-s”, tha ministri britanik i Mbrojtjes në Kazermën e Artilerisë Mbretërore në Woolwich.
NATO-ja njoftoi në fillim të tetorit të vitit të kaluar se 200 ushtarë britanikë të Regjimentit Mbretëror të Batalionit të Parë të Princeshës së Uellsit mbërritën në Kosovë për ta përforcuar misionin paqeruajtës të KFOR-it, pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë ndaj Policisë së Kosovës në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.
Mbretëria e Bashkuar vendosi të dërgojë trupa shtesë për t’iu bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash në kuadër të KFOR-it, pas kërkesës së komandantit suprem të Aleancës për Evropën ( SACEUR)./AP