Një 20-vjeçar nga Novobërda është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Gjilanit të premten.
Vdekja e tij është konstatuar nga mjeku kujdestar, ndërkaq sipas familjarëve i ndjeri ka qenë me grip dhe është trajtuar në shtëpi.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini.
“Në mëngjesin e të premtes është sjell pa shenja jete një i ri i moshës rreth 20-vjeçare, i nacionalitetit serb nga komuna e Novobërdës. Sipas të dhënave të familjarëve, i ndjeri ka qenë i sëmurë nga gripi dhe është trajtuar në shtëpi ku edhe i është përkeqësuar gjendja”, ka thënë Emini.
Policia e Kosovës në raportin 24 orësh të shtunën ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me rastin.
“Hetim i vdekjes – Fsh. Zebincë, Novobërdë 26.01.2024 – 03:20. Nga Spitali Rajonal i Gjilanit është raportuar se pa shenja jete është sjell viktima mashkull serb kosovar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar”, thuhet në raport.
Sipas policisë, me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.