Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kronikë e zezë > Mosmarrëveshjet për prerjen e malit çuan në vrasjen e dyfishtë në vitin 2021

Mosmarrëveshjet për prerjen e malit çuan në vrasjen e dyfishtë në vitin 2021

Pa mëdyshje është vërtetuar se pas mosmarrëveshjes pronësore lidhur me prerjen e malit i akuzuari Xhafer Bardhi e ka privuar nga jeta A.M dhe pas plagëve kishte vdekur edhe B.M në QKUK.

Ky është konstatimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë në aktgjykimin e plotë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” për rastin e vrasjes së dyfishtë ku Xhafer Bardhi më 4 tetor 2023 ishte dënuar me burgim të përjetshëm e djali i tij, Amir Bardhi ishte liruar nga akuza për vrasjen e 15-vjeçarit dhe babait të tij.

Gjithashtu gjykata nga dëshmia e mjekut ligjor Musa Gashi ka ardhur në përfundimin se vdekja e B.M nuk ishte e natyrshme pasi kishte ardhur si rezultat i gjakderdhjes masive trunore si pasojë e goditjes me armë të zjarrit në kokë.

Sipas aktgjykimit, familjet e të akuzuarve dhe të dëmtuarve deri në vitin 2021 kanë pasur raporte normale ku edhe kishin jetuar Gradicë të Drenasit.

Mirëpo gjithnjë sipas aktgjykimi, në ditën kritike më 5 prill 2021, i akuzuari Xhafer Bardhi kishte shkuar në mal për të diskutuar me të dëmtuarit V.M, V.M dhe D.M si dhe me të ndjerët B. e A. M. ku u ishte drejtuar me fjalët: “Pse po ma preni malin, pse po më boni dëm” ku edhe ishin fjalosur.

Andaj, sipas gjykatës, gjeneza e konfliktit midis familjes Bardhi dhe Muja ishte pikërisht në ditën kritike të 5 prillit 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, edhe nga dëshmia e mjekut ligjorë Valon Hyseni gjykata ka ardhur në përfundimin se vdekja e A.M ishte vdekje e dhunshme si pasoj e gjakderdhjes masive të brendshme dhe jashtme nga shkyerja e arteries së krahut të djathë dhe arteries prej goditjes me armë gjuetie.

“Se vdekja e tani të ndjerit A. M. është vdekje e dhunshme dhe ka ardh si rrjedhojë e gjakderdhjes masive të brendshme dhe të jashtme nga shqyerja e arteries dhe venës subklavia të krahut të dorës së djathtë dhe të mushkërisë së djathtë, si pasojë e veprimit dinamik të predhave (saqmave) të hedhura nga arma e gjuetisë”, thuhet në aktgjykim.

Në vendimin e saj gjykata ka ardhur në përfundimin se i akuzuari Xhafer Bardhi kishte qëllim vrasjen krejt kjo përmes vet deklaratës së dhënë në polici.

Aty sqarohet se përmes provave të administruara është ardhur në përfundimin se bëhet fjalë për vrasje të rëndë.

Kurse për lirimin e të akuzuarit Amir Bardhi, gjykata ka ardhur në përfundimin se nga administrimi i provave i njëjti nuk mund të shpallet fajtor për veprën penale në bashkëkryerje “Vrasje e rëndë”.

Sipas gjykatës, Amir Bardhi për t’u shpallur fajtor për këtë vepër duhet të ketë prova bindëse dhe të pakontestueshme se i njëjti mund të shallet fajtor e që në rastin konkret këto prova kanë munguar.

“Në rastin konkret provat nuk kanë qenë bindëse pasi që gjykata ka gjetur kundërthënie në mes të përshkrimit faktik të aktakuzës dhe provave të paraqitura nga prokuroria”, thuhet në aktgjykim.

Veprimet e të akuzuarit Amir Bardhi, gjykata nuk ka mundur t’i vërtetojë as nga deklarimet e të dëmtuarve V.M, D.M, dhe V.M.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimi ka pasur reagime nga pala e dëmtuar kurse me 13 tetor 2023 ka pasur protestë para pallatit të drejtësisë ku është kërkuar të dënohet edhe  i akuzuari Amir Bardhi

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi”  se tashmë kanë ushtruar ankesë për në Gjykatën e Apelit sa i përket pjesës livruese të aktgjykimit për të akuzuarin Amir Bardhi.

Kurse avokati Haxhi Millaku, po ashtu, ka bërë të ditur se ka ushtuar ankesë për pjesë e dënimit me burgim të përjetshëm  për klientin e tij Xhafer Bardhi.

Lidhur me këto ankesa Gjykata e Apelit ka bërë të ditur se pas pranimit të ankesave lënda do të caktohet për gjykim sipas radhës.

“Gjykata e Apelit të Kosovës, e ka pranuar lëndën në fjalë me datë 24.01.2024, e njëjta është e evidentuar me numrin PAKR.nr…, pret të zgjidhet sipas radhës së arritjes në gjykatë”, thuhet në përgjigje e Apelit.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 28 shkurt 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të pandehurit Xhafer Bardhi dhe Amir Bardhi, ngarkoheshin se më 5 prill 2021 në vendin e quajtur “Zabel” në pyllin e fshatit Gradicë, për shkak të një mosmarrëveshje pronësore rreth së drejtës së shfrytëzimit të malit, me dashje të pandehurit Bardhi në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të miturin- tani të ndjerin A.M 15-vjeçar dhe prindin e tij B.M.

Themes by WordPress