Pas fitores së Donald Trump në New Hampshire të martën mbrëma dhe fuqisë së tij në shtetet e mbetura, do të thotë se ish-ambasadores amerikane në OKB, Nikki Haley po i mbarojnë opsionet.
Ajo gjithashtu do të duhet të përballet me realitetin që zyrtarët e lartë republikanë duan gjithnjë e më shumë që gara të përfundojë sa më herët.
Dhe kjo më pas do të ishte hapja e rrugës edhe për një gjë tjetër: zgjedhjen e një kandidati për të garuar për zëvendës-president.
Në këtë drejtim thuhet se ka gjithashtu një presion të ri që 77-vjeçari të bëjë zgjedhjen e tij, në mënyrë që republikanët të mund ta kthejnë fokusin e tyre drejt zgjedhjeve të përgjithshme.
Më poshtë hedhim një vështrim rreth emrave që duhen parë ndërsa ish-presidenti amerikan vazhdon përpjekjet për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë:
Ish-ambasadorja në OKB, Nikki Haley
Haley, e cila ka lënë të kuptohet se fushata e saj do të vazhdojë, ka thënë vazhdimisht se nuk është e interesuar të jetë zëvendëspresidente e askujt.
Senatori Tim Scott i Karolinës së Jugut
Senatori 58-vjeçar me tri mandate “miratoi” kandidaturën e Trump pak para zgjedhjeve paraprake në New Hampshire.
Guvernatori Ron DeSantis i Floridës
Trump dhe aleatët e tij kaluan më shumë se një vit duke sulmuar pamëshirshëm DeSantis.
Ky i fundit konfirmoi mbështetjen për Trumpin menjëherë pasi u largua përpara zgjedhjeve në New Hampshire, por pyetja mbetet nëse secila palë do të dëshironte të riparonte aleancën e tyre politike.
Ai ka mbështetur gjithashtu politika konservatore si ndalimi 6-javor i abortit që do të shkaktonte “dhimbje koke” në zgjedhjet e përgjithshme.
Sen. JD Vance i Ohios
Pavarësisht se u zgjodh në Senatin e SHBA-së vitin e kaluar, Vance është paraqitur në mënyrë të përsëritur si një kandidat potencial për zëvendëspresident.
Dhe ai nuk thotë jo.
“Sigurisht, nëse presidenti do të pyeste, do të më duhej të mendoja për këtë”, citohet të ketë thënë Vance së fundmi ndërsa po angazhohej për Trumpin në New Hampshire – megjithëse ai tha gjithashtu se “vendi më i mirë për mua” është të qëndroj në Senatin e SHBA-së.
Marjorie Taylor Greene e Georgias
“Është folur shpesh dhe e di që emri im është në listë”, tha Greene për The Guardian në gusht. “Por me të vërtetë fokusi im më i madh tani është t’i shërbej distriktit që më zgjodhi”.
Por ka pak dyshim se një pjesë e bazës së Trump do të ishte e kënaqur me një përzgjedhje të tillë, nëse ai do të vendoste të shkonte në këtë drejtim.
Elise Stefanik e New Yorkut
Kryetarja e Konferencës së Republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, Elise Stefanik është zyrtarja e rangut më të lartë që shihet si një zgjedhje e mundshme e Trumpit.
Kongresmenja e New Yorkut, e cila u ngjit në pozicionin e saj drejtues pas përmbysjes së Liz Cheney, ka pësuar dukshëm një ndryshim të mprehtë kur bëhet fjalë për Trumpin, përcjell Telegrafi.
Kongresmenja tha së fundmi se “do të ishte e nderuar të shërbente në çdo cilësi në një administratë Trump”.
Kandidatja për guvernatore e Arizonës, Kari Lake
Lake, një ish-gazetare, përkushtimi i së cilët ndaj Trump është i pashembullt në mesin e republikanëve, po kandidon teknikisht për një tjetër punë tani: senatore e Senatit të SHBA-së për Arizona që aktualisht mbahet nga senatori, Kyrsten Sinema.
Por kjo nuk ka heshtur spekulimet për bashkimin e saj me Trumpin në një garë presidenciale.
Lake është ngritur shpejt për t’u bërë një nga zëvendësuesit më të gatshëm të Trump.
Guvernatorja e Dakotës së Jugut, Kristi Noem
Guvernatorja e Dakotës së Jugut, ndoshta më e njohur në nivel kombëtar për shkeljen e kufizimeve të vendosura për shkak të COVID-19 gjatë pandemisë, është ndoshta zgjedhja më e mundshme për zëvendësin e Trumpit.
“Unë mendoj se kujtdo në këtë vend, nëse do t’i ofrohet, duhet ta konsiderojë atë”, tha ajo në CBS në fillim të këtij muaji.
Noem do të siguronte ekuilibrin gjinor, duke kënaqur gjithashtu dëshirën e Trumpit për besnikëri.
Guvernatori i Virginias, Glenn Youngkin
Youngkin, 57, ndryshe nga guvernatorët e tjerë në këtë listë, ka treguar se mund të fitojë një shtet konkurrues.
Guvernatorja Sarah Huckabee Sanders e Arkansas
Askush në këtë listë nuk e njeh Trump si Sanders – pasi ishte sekretarja e tij e dytë e shtypit në Shtëpinë e Bardhë.
Dhe si guvernatore e Arkansas, ajo ka ndjekur një sërë politikash konservatore.
Ajo ka mbështetur fushatën e Trump, por ka lënë të kuptohet se nuk do të ishte e interesuar të kthehej në Shtëpinë e Bardhë si zëvendëspresidente.
“Shiko, unë absolutisht e dua punën që kam. Mendoj se është një nga punët më të mira që mund të kërkoja ndonjëherë, dhe jam e nderuar të shërbej si guvernator dhe shpresoj ta bëj atë për shtatë vitet e ardhshme”, ka thënë Sanders për CBS News.
Guvernatorja Kim Reynolds e Iowa-s
Trump u përplas në mënyrë të përsëritur me Reynolds në ditët e fundit para fitores historike në Iowa.
Trump ka sugjeruar gjithashtu që Prokurorja e Përgjithshme e shtetit Brenna Bird duhet të drejtojë Iowa-n një ditë në të ardhmen.
Biznesmeni Vivek Ramaswamy
Ashtu si disa kandidatë të tjerë në këtë listë, Ramaswamy nuk ka gjasa të zgjidhet si zëvendëspresidenti i ardhshëm i Trump.
Por kjo nuk do të thotë se nuk ka njerëz që do të donin ta shihnin atë në atë vend.
Ramaswamy ishte ndoshta i vetmi kandidat në garë që nuk guxoi kurrë të lëshonte kritika thelbësore ndaj Trump, duke zgjedhur në vend të kësaj të kandidonte si një mbështetës i vendosur i ish-presidentit.
Por ndërsa Ramaswamy do të ishte popullor me disa nga ndjekësit më të përkushtuar të Trump, prirja e tij për teoritë e konspiracionit ka të ngjarë të jetë një pengesë në zgjedhjet e përgjithshme.
Ndryshe, zgjedhjet presidenciale amerikane do të mbahen më 5 nëntor të këtij viti, ku Trump (në rast se zgjidhet nga republikanët), pritet të ballafaqohet me rivalin e vitit 2020, presidentin aktual, Joe Biden, i cili do të rikandidohet prej demokratëve.