Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kuptimi metaforik i shtatzënisë së meshkujve në filozofi

Kuptimi metaforik i shtatzënisë së meshkujve në filozofi

Shkruan: Afrim Kasolli- Nëse ka diçka që ka pasur një rol të rëndësishëm në formësimin e mendimit filozofik antik kanë qenë edhe përfytyrimet mitike, dhe metafora e shtatzënisë së meshkujve. Pra mënyra se si kjo imagjinatë e ka formësuar një pjesë të kësaj trashëgimie.

Në këtë kontekst, David D. Leitao, në librin, “The Pregnant Male as Myth and Metaphor in Classical Greek Literatur” ka shpalosur rrugëtimin historik dhe kontekstin social se si janë shtresëzuar këta skema të të menduarit, që nga krijimet mitike, teoritë embrionologjike në filozofinë e Anaxagorës, kozmologjinë mashkullore, duke vazhduar me metaforat e shtatzënisë së meshkujve në tragjeditë, komeditë dhe disa nga mësimet e sofisteve, e deri te kulmimi i tyre ne filozofinë e Sokratit dhe Platonit.

Kështu, metafora e shtatzënisë së meshkujve, shërbeu si mjet për t’i konceptuar dhe diskutuar një numër çështjes sikur se, origjinën e shpirtit, rolin e providencës në botë, natyrën, origjinën, dhe kreativitetin e mendimit, e deri tek atë të të mësurit. Prandaj, qëllimi i këtij hulumtimi, sipas autorit në fjalë, mbetet zbërthimi i teorik në dy dimensione i kësaj teme. Fillimisht funksioni retorik i shtatzënisë në kuadër të teksteve partikulare dhe me pastaj analizimi i këtij diskursi  me të gjerë, pjesë e të cilit janë edhe tekste të tilla. Pyetja se “Çka meshkujt duan?” mund të konsiderohet përmbledhtazi si thelbi i intencës për ta analizuar “funksionin retorik që shtatzënia e meshkujve ka luajtur në shkrimet e këtyre autoreve-meshkuj”,

Sidoqoftë, deshifrimi i kësaj teme dallon nga paradigmat e antropologjisë sociale dhe asaj psikonalitike, që po ashtu fantazi të tilla kanë pasur një vend qendror. Kështu, sipas D.Leitao, fantazitë e fëmijërisë mbi shtatzëninë mashkullore, më shumë se nga dëshira  tyre për të kuptuar trupin e femrës, derivojnë si reaksion ndaj kërcënimeve të “kastrimit atëror”, dhe si të tilla reflektojnë ekskluzivisht dramën psikologjike ndërmjet baballarëve dhe djemve. Ndonëse. siç dihet Frojdi, kurrë nuk e zhvilloi teorinë “zilisë së mitrës” tek meshkujt sikur se kishte bërë me “Kompleksin e Elektrës”.

Mirëpo, interpretime të tilla ndryshojnë rrënjësisht nga horizonti kulturor antik. Sepse në vend të konflikteve intra-psiqike të burrave grekë, metafora të tilla më shumë kanë të bëjnë me konceptualizimin  e qytetarisë dhe lidhjeve tribale e familjare. Edhe pse sipas konstatimeve të autorit shumë nga metaforat  dhe përfytyrimet mitike të këtij fenomeni, veçanërisht para lulëzimit të filozofisë, nuk kishin të bënin me identitetin gjinor. Megjithatë, është interesant mënyra sesi simbolikisht interpretoheshin situatat nëse burrat shihnin ëndrra se kishin mbetur shtatzënë. Artemidorus, i cili jetoi në shekullin e dytë të erës sonë, pohonte se nëse ëndrra të tilla shiheshin nga burra të pasur ato mund të merreshin si kumt paralajmërues se ai do të jetë i rrethuar me telashe ose shqetësime më shumë, kurse nëse ai do kishte parë ëndërr duke lindur, kjo do të thoshte se do t’i humbte investimet. Ndërkaq, krejt e kundërt qe gjendja me burra të shtresës së varfër. Nëse ata do shihnin ëndrra të tilla, ato mund të merreshin si paralajmërim për përmirësimin të statusit të tyre social dhe politik .

Sidoqoftë, përtej këtij dimensioni simbolik, metaforat e shtatzënisë së burrave morën një peshë tjetër specifike në filozofinë e Platonit. Me këtë rast, David D. Leitao, duke u bazuar edhe në analizat Loreaux, konstaton se në poezitë homerike mund të gjenden shumë portretizime të heronjve meshkuj që e ndjejnë të plotë trupin e tyre.

E për dallim nga qytetari hipolit, sipas Platonit, filozofi ka nevojë për një trup, por vetëm më kusht që ta mohojë atë në favor të shpirtit. Pra me qëllim që përfshijë edhe trupin e “femrës në kërkim të filozofisë, ai propozon fillimisht përjashtimin, por në të njëjtën kohë edhe ripërvetësimin  e asaj që është mohuar, nëpërmjet gjeneralizimit metaforik. Me fjalë, tjera Platoni pretendon t’i ketë të dy identitetet brenda një skeme, fizikusin e femrës, por pa e kompromentuar pa depërtueshmërinë mashkullore”.

Ndërkohë, ky “këmbim” metaforik u manifestua edhe në “feminizimin” e gjuhës filozofike. Kështu tashmë për Platonin, filozofi është ia i cili mbetet “shtatzëne” me shpirtin e tij. Ndërkohë, në dialogun e Diotimës, dominonin metafora e “shtatzënisë mendore dhe e cila nuk dominohet nga maskunilizim i rolit të femrës, por nga fuqizimi i feminizuar i mashkullit filozof”. E këtu nuk mungon, mbase për shkak trashëgimisë sokratike metafora e filozofit si një “mami” teorike, që jo vetëm u ndihmon të tjerëve të lidin, por po ashtu ka pushtetin, sikur një baba i ri, që të vendos mbi  idetë “si fëmijë të tij mendor” se cilët duhet të kultivohen e rriten, e cilët jo.

Ky vështrim i shkurt, tregon më qartë se asgjë tjetër ,për rolin që kishte luajtur metafora e shtatzënisë mashkullore në formësimin dhe zhvillimin e mendimi filozofik antik.

/TV Arbëria

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Powered by WordPress