Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.S., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, me datë 07.09.2021 në Dragash, në cilësinë e personit zyrtar – referent pranë Zyrës kadastrale të Drejtorisë për urbanizëm, kadastër dhe mbrojtjen e mjedisit të Komunës së Dragashit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij.
Ndërsa, me datë 02.11.2021 jashtë çdo autorizimi lidhur me detyrën e tij zyrtare, i njëjti ka përpiluar shpjegimin me shkrim për Gjykatën, të cilin e ka nënshkruar dhe vulosur me vulën zyrtare të autoritetit kadastral.
“Madje pa e protokolluar fare të njëjtin, ia dërgon Gjykatës, në të cilin shpjegim i ka paraqitur sqarimet – arsyet e tij se përse i ka regjistruar ngastrat e lartpërmendura kadastrale nga pronari ekzistues D.B., në personin tjetër H.B., me çka i shkakton dëm të dëmtuarit D.B., në vlerën e ngastrave kadastrale prej 250,000.00 euro”.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. /Telegrafi/