Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Krizat që po e formësojnë identitetin e elektoratit evropian

Krizat që po e formësojnë identitetin e elektoratit evropian

Zakonisht jemi mësuar që skenën politike në demokracitë parlamentare të shteteve perëndimore, ta shohim si të ndarë në mes partive të djathta dhe të majta.

Mirëpo, një dallim i tillë po zbehet dita ditës gjithnjë e më tepër. Kështu, elektorati evropian po fragmentarizohet në pesë “fise” kryesore politike, si reagim ndaj polikrizave që e kanë goditur atë vitet e fundit.

Prandaj, edhe frika që kanë ngjallur ato dhe nevoja për t’u përballur me pasojat e tyre, do të jetë vendimtare në mobilizimin politik të elektoratit në zgjedhjet që do të mbahen në këtë vit. si për Parlamentin Evropian, ashtu edhe në nivel nacional në disa shtete, konstatojnë Ivan Krastev dhe Mark Leonard në hulumtimin “A crisis of one’s own: The politics of trauma in Europe’s election year”.

Kështu, sipas dy autorëve në fjalë, Evropa në këtë dekadë ka kaluar nëpër disa kriza. Fillimisht, qe ajo financiare e cila krijoji një pasiguri masive për të ardhmen. Paralelisht me të, ndodhi përkeqësimi i krizës ekologjike e cila gjithnjë e më tepër e ka shtuar ankthin për të ardhmen e planetit.

Të mos flasim për fluksin e madh të imigrantëve në vitin 2015, por që në një mënyrë ose tjetër po vazhdon deri më sot.

Kurse në ndërkohë shpërtheu pandemia  Covid-19,  duke ekspozuar dobësitë e sistemit shëndetësor. Dhe në fund lufta në Ukrainë që i varrosi përfundimisht iluzionet se luftëra të tilla i takojnë vetëm historisë tragjike të kontinentit dhe nuk do të mund të riktheheshin kurrë më për shkak të triumfit të paqes pos-historike.

Në këtë kontekst, secila prej tyre u përjetua si kërcenim ekzistencial në mënyra të ndryshme nga shoqëri të ndryshme evropiane. Natyrisht, dallonte intensiteti i tyre nga njëri vend në tjetrin.

Bie fjala, në Gjermani qytetarët e kanë konsideruar emigracionin si krizën më shqetësuese për ta.

Në Francë dhe Danimarkë ndryshimet klimatike. Por sidomos në shoqërinë franceze u vërejtën kundërthënie në mes atyre që janë të preokupuar për “fundin e muajit dhe fundin e botës”.

Kurse në Spanjë, Britani të Madhe dhe Rumani, pandemia Covid-19 është listuar si problem kryesor.

Ndërkaq estonezët, polakët e etj luftën në Ukrainë e kanë veçuar si shqetësimin primar të tyre.

Ky sondazh që u realizua në nëntë shtete anëtare të BE-së, të cilat e përfaqësojnë 73 për qind  të popullsisë së bllokut, plus Britaninë e Madhe dhe Zvicrën, sugjeron se për 73.4 milionë votues ndryshimet klimatike janë urgjente.

Ndërkohë, 72.8 milionë u deklaruan se Covid 19, pandemia kjo që ekspozoi cenueshmërinë e sistemeve kombëtare të kujdesit shëndetësor, me pasoja të mëdha ekonomike – ishte më i rëndësishmi, 69.3 milionë thanë se trazirat ekonomike globale ishin shqetësimi i tyre kryesor, 58.2 milionë zgjodhën imigracionin, kurse për 49 milionë kriza më madhe mbetet pushtimi i Rusisë në Ukrainë, dhe 46.4 milionë nuk zgjodhën asnjërën nga pesë krizat e përmendura.

Me këtë rast, sipas këtij studimi, derisa në vitin 2019 ende beteja kryesore politike ishte në mes populsiteve anti-evropian dhe partive kryesore të esablishmentit që aspironin ta ruanin projektin evropian nga Brexit-i dhe ndikimi Trump-ist, sot nuk mund të thuhet e njëjta gjë.

Duke i interpretuar gjetjet e hulumtimit, gazeta britanike “The Guardian” shkruan se kriza klimatike dhe imigracioni ka gjasa që të jenë dy nga forcat kryesore mobilizuese politike në këto zgjedhje.

Bie fjala, votuesit holandezë e vendosën në krye partinë e Lirisë të Geer Wilders, e njohur për qëndrimet kundër emigrantëve, por në vend të dytë po ashtu edhe aleancën pro-mjedisore Laburiste të kryesuar nga ish-zëvendës presidenti i Komisionit Evropian Frans Timmermans.

Dhe kjo ndarje nuk është e rastësishme, por është shprehje e përplasjes në mes të dy “rebelimeve anti-zhdukjes”.

Aktivistet ekologjikë që kanë frikë nga zhduka e planetit dhe jetës njerëzor, kurse aktivistët kundër emigracionit që janë të pushtuar nga frika e zhdukjes së kulturave të tyre kombëtare”.

Janë këto tensione që tashmë e kanë ndryshuar peizazhin politik të kontinentit dhe të cilat do të ndikojnë që përplasja kryesore politike do të zhvillohet në mes këtyre pesë “fiseve” kryesore politike, ku mbështetësit  e tyre do të mobilizohen me shpresën për ta parandaluar rikthimin e njërës prej atyre krizave që e konsiderojnë si frikën me të madhe për të ardhmen e tyre. /TV Arbëria – Përgatiti Afrim Kasolli

 

Powered by WordPress