E hëna ka qenë dita e fundit kur komuniteti serb në veri mund t’i dërgonte nëpër kuvendet komunale peticionet për shkarkimin e kryetarëve nga partitë shqiptare të katër komunave veriore.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë për Reporteri.net se komuna e cila ka dërguar deri tani nënshkrimet e mbledhura nga peticionet për shkarkimin e kryetarëve është ajo e Zubin Potokut.
“Mund t’ua konfirmoj se deri më tani kemi pranuar kërkesën me nënshkrime të mbledhura për verifikim nga Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut. KQZ, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të verifikojë listën e nënshkrimeve, pra nëse nënshkruesit janë qytetarë me të drejt vote në komunën përkatëse”, tha Elezi.
Nënshkruesit e peticionit duhet të jenë 20% të qytetarëve në listën e votuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Pas këtij procesi, KQZ-ja duhet të organizojë votimin për largimin e kryetarëve aktualë, i cili konsiderohet i suksesshëm vetëm nëse grumbullohen 50 për qind, plus një votë e votuesve potencial në këto komuna.