Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > “Fundi ndërkombëtar” i lojërave të brendshme të Albin Kurtit

“Fundi ndërkombëtar” i lojërave të brendshme të Albin Kurtit

Shkruan: Afrim Kasolli- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tashmë ndodhet para një bote të pamundësive.

Deri më tani, ai ka operuar me anë të një skeme të dyfishtë, duke u dakorduar me të gjitha marrëveshjet me Serbinë të ndërmjetësuar Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe në anën tjetër duke e shmangur zbatimin e tyre nga brenda me qëllim që ta ushqejë bazën e tij elektorale me një narracion rezistues ndaj të gjitha pushteteve të botës për ta mbrojtur interesin nacional.

Në këtë mënyrë, i pari i qeverisë së Kosovës, ka shpresuar ta luajë edhe partnerin e besueshëm para diplomatëve ndërkombëtarë edhe heroin e brendshëm populist.

Se mund të pajtohet me draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe me qëllim që t’i depërtojë në pallatet aristokratike të shteteve evropiane dhe njëkohësisht ta përdor kryetarin e Kuvendit të betohet në studio televizive, se ky pushtet nuk do ta zbatojë një draft të tillë, e po ashtu të mbrohet para opinionit se pa nënshkrim nuk ka pranim.

Albin Kurti ka kalkuluar se pasi Serbia nuk pajtohej ta nënshkruante këto marrëveshje, as ai nuk do të kishte obligime ndaj tyre. Dhe në këtë mënyrë të vazhdonte në pafundësi të njëjtin avaz.

Se driblime të tilla të papajtueshme ndërmjet vete nuk do të tolerohen deri në “infinit” ka qenë e ditur prej kohësh.

Bie fjala, pak ditë pas takimit në Ohër, përfaqësuesi special SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kishte deklaruar se tashmë si Marrëveshja bazë e Brukselit për normalizimin e raporteve ndërmjet dy shteteve, ku parashihet themelimi i autonomisë territoriale për serbët e Kosovës nëpërmjet vetmenaxhimit të tyre, si dhe plani i sekuencimit të saj në Ohër janë obligim ndërkombëtar për shtetin e Kosovës dhe të Serbisë.

Po ashtu, ky zyrtar i lartë i administratës amerikane dhe përfaqësues tjerë të shteteve perëndimorë, kanë pohuar në vazhdimësi se në vend të nënshkrimit Kosova duhet të fokusohet të zbatimi praktik i detyrimeve që dalin nga proces.

Ndërkohë, me qëllim që si Kosova ashtu edhe Serbia t’i pranojnë si obligim ndërkombëtar zotimet e liderëve të tyre , Bashkimi Evropian u përkujdes që zbatimi praktik i marrëveshjeve të lidhet me agjendën integruese evropiane.

Pra, që shmangia nga e para të pasohet me sanksionime në procesin e dytë.

Rrjedhimisht, Bashkimin Evropian pritet të propozojë që të “përfshihet” edhe zbatimi i marrëveshjeve që Serbia i ka arritur deri tani me Kosovën në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Për këtë është duke punuar Komisioni Evropian, dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së (EEAS) për ta ndryshuar kornizën e bisedimeve në kapitullin e 35 me Serbinë për anëtarësim”.

Kurse, Kosova vetëm ndodhet nën masa sanksionuese që sa kohë, dhe nuk ka gjasa që ato të suspendohen pa bërë progres në këtë proces.

Kështu, derisa presidenti serb Aleksandër Vuçiq, për fatin e keq të kryeministrit Kurti, ka filluar ta “shfaq” gjithnjë e më tepër vetëm si kooperativ para partnerëve ndërkombëtarë, sikurse me zbatimin e marrëveshjes për targat, inkurajimin e serbëve të Kosovës që ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore etj etj, tash lakorja e presionit do të rëndojë gjithnjë e më shumë mbi Kurtin për ta themeluar Asociacionin si detyrim i Kosovës .

Fjalimi i Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, në konferencën “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE” tregoi qartë mbi pasojat që i presin ata liderë që kualifikohen si përgjegjës për dështimin e procesit.

Ai ndër tjera pohoi se “liderët e Ballkanit nuk do të kenë mundësi për të penguar rrugëtimin e njëri-tjetrit, sepse nuk duhet të ekzistojnë çështje të pazgjidhura, dhe se kushdo që tenton të pengojë diçka do të përballet me ndëshkime, “Nëse një shtet dëshiron të presë, të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse këta liderë politikë janë të duhurit”.

Në këtë kontekst, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke ndier situatën pa shtegdalje ku është katandisur për shkak të synimeve kontradiktore, pra për të gëzuar në njërën anë edhe pranimin ndërkombëtar dhe në anën tjetër admirim masiv popullor për heroizmin e tij të stisur ndaj të parëve, atëherë nuk i mbeti opsion tjetër pos nëpërmjet një formule të re “magjike” ta propozojë ndarjen e procesit të integrimeve nga ai i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Qe me të parën të merret kryeministri, kurse e dyta t’i mbetet “kryenegociatorit Besnik Bislimi, dhe lehtësuesit Lajçak”.

Mirëpo, nëse hapet kjo derë, atëherë askush nuk mund ta ndalë edhe rrugën e Serbisë që ta avancojë drejt agjendës integrimet evropian duke i shpërfillur detyrimet e saj nga kapitulli 35 i negociatave.

Prandaj, mbase nga dëshira për të shpëtuar vetë nga këto kontradikta, në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, kryeministri Kurti i bërë dje një shërbim agjendës që ia lehtëson rrugën Serbisë në këtë drejtim.

/TV Arbëria

 

Powered by WordPress