Blog Post

Arbëria TV > Featured > Çka pas nënshkrimit të peticionit për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri?

Çka pas nënshkrimit të peticionit për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri?

Fundjava që sapo e lamë, për dallim nga ato të zakonshmet u karakterizua nga një dinamizëm i “jashtëzakonshëm” politik në pjesën veriore të vendit.

Qytetarët e katër komunave në atë pjesë, të prirë nga Lista Serbe, u mobilizuan me të madhe me qëllim nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në Mitrovicën e veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Sipas organizatorëve të këtij peticioni tashmë mbledhja e nënshkrimeve ka përfunduar. Mirëpo, finalizimi i kësaj faze nuk nënkupton me automatizëm shkarkimin e kryetarëve të kontestuar nga banorët serbë lokalë. Sepse në këtë mënyrë është fituar vetëm e drejta për ta filluar një proces të tillë, sipas udhëzimit administrativ të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministrisë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Kështu në bazë të këtij udhëzimi, tash është obligim i KQZ që t’i konfirmojë nënshkrimet e mbledhura, dhe pas verifikimit të tyre organizohe votimi për shkarkimin e kryetarëve përkatës. Ky votim duhet të mbahet brenda 45 ditëve. Ndërkohë që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote. E pas kësaj rezultati i dërgohet presidentes Kosovës, Vjosa Osmani e cila ka një afat ligjor prej 30 deri në 35 ditë për t’i shpallur zgjedhjet e parakohshme, shkruan REL.

Në këtë mënyrë qytetarët në veri duhet të votojnë së paku edhe dy herë  që të mund të zgjedhin kryetarët e ri. Kjo ishte edhe arsyeja që diplomatë ndërkombëtarë në vazhdimësi kanë mbrojtur idenë se rruga më e mirë për mbajtën e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore do të ishte nëpërmjet dorëheqjes së kryetarëve shqiptarë.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës e ka kundërshtuar vazhdimisht një rekomandim të tillë, duke insistuar se vetmja procedurë e pranueshme mbetet shkarkimi i tyre me anë të një peticioni. Kundër peticionit si metodë ka qenë edhe Lista Serbe.

Por, në fund të vitit 2023, zyrtarët e këtij subjekti politik deklaruan se janë gatshëm të merrnin pjesë në zgjedhjet në komunat në veri, pa vendosur asnjë kusht për pjesëmarrje në zgjedhje. E ky qëndrim i kësaj partie u mor pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje përfaqësuesve serbë në veri të Kosovës që të inicionin mbajtjen e zgjedhjeve të reja, në mënyrë që “levat kryesore të pushtetit të jenë në duart e tyre”.

Me këtë rast një ndryshim i befasishëm i Listës Serbe sipas analistit politik, Arben Fetoshi është një taktizim  dhe kalkulim i Aleksandër Vuciqit, me qëllim që ta përforcojë rolin e tij konstruktiv si para partnerëve ndërkombëtarë ashtu edhe ta vendosë Kosovën në një pozicion defansiv dhe me presion të shtuar sa i përket çështjes së Asociacionit.

Po ashtu, edhe analisti Artan Muhaxhiri ka pohuar se as që mund të paramendohet që një veprim i tillë i pakicës serbe të jetë vendim autonom i tyre. Çdo akt i rëndësishëm i këtij komuniteti bëhet më urdhër të Beogradit, sepse pakica serbe është e instrumentalizuar në mënyrë maksimale dhe nuk ka subjektivit të marrë vendime të tilla. Mirëpo  Muhaxhiri nuk e përjashton mundësinë që edhe ky vendim të jetë rezultat i një kompromisi që qeveria e Kosovës e ka bërë me Serbinë dhe BE-në e të cilin do ta kuptojmë gjatë ditëve dhe javëve në vijim.

/TV Arbëria