Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka kërkuar që Lista Serbe të mos certifikohet për zgjedhjet e ardhshme në katër komunat veriore.
Haradinaj-Stublla shkroi në “X” se “vendimi i KEQ-së duhet të rishikohet” dhe se aktiviteti i Listës Serbe duhet të ndalet.
“Vendimi i KQZ-së duhet të rishikohet, dhe forca e ligjit të Republikës së Kosovës duhet të ndalojë organizatën kriminale “Lista Serbe” nga aktiviteti në territorin e Kosovës, e poashtu – të parandalojë çertifikimin dhe pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet e ardhshme në komunat veriore nëse nuk duam t’ua servojmë me duart tona “parathënien për aneksimin” e veriut të Kosovës”, shkroi ajo.
Ish-kryediplomatja ka kërkuar edhe reagim nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
“Nëse institucionet e vendit – specifikisht Presidentja e Kryeministri – vazhdojnë të heshtin këtë situatë të rrezikshme, atëherë do të duhej të mbajnë përgjegjësi për rietablimin e sërishëm në pushtet të organizatës kriminale Lista serbe në komunat veriore”, shkroi ajo.
Postimi i plotë i saj:
LISTA SERBE TË MOS ÇERTIFIKOHET PËR ZGJEDHJE LOKALE!
Tani kur i gjithë kapaciteti diplomatik e politik i Kosovës është fokusuar për të pasur një reagim të qartë ndërkombëtar për rolin e Serbisë përmes lidershipit të Listës Serbe në agresionin e Banjskës – vendimi për dhënien e mjeteve kësaj organizate kriminale prej 360,000 euro nga KQZ është nëpërkëmbje e shtetit të Kosovës, mungesë ligjshmërie e integriteti nga institucionet e përgjegjëse, si dhe “amnisti” institucionale për agresionin e Banjskës dhe vrasjen e heroit Afrim Bunjaku.
Nëse institucionet e vendit – specifikisht Presidentja e Kryeministri – vazhdojnë të heshtin këtë situatë të rrezikshme, atëherë do të duhej të mbajnë përgjegjësi për rietablimin e sërishëm në pushtet të organizatës kriminale Lista serbe në komunat veriore.
Pres ndërhyrjen e Presidentes së vendit rreth vendimit skandaloz të KQZ-së, që përmes Kryesuesit – të ruajë integritetin e shtetit dhe të rikthejë ligjshmërinë në vendimet e KQZ-së. Poashtu, nëse vendimi është marrë përmes votimit të përfaqësuesve të partive politike në KQZ – atëherë duhet t’i mbajmë përgjegjëse edhe partitë politike – të cilat me gjasë kanë votuar pro vendimit për ndarjen e mjeteve për Listën Serbe për të mos rrezikuar fondet për partitë e tyre. (Presim publikimim e transkriptës së mbledhjes)
Vendimi i KQZ-së duhet të rishikohet, dhe forca e ligjit të Republikës së Kosovës duhet të ndalojë organizatën kriminale “Lista Serbe” nga aktiviteti në territorin e Kosovës, e poashtu – të parandalojë çertifikimin dhe pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet e ardhshme në komunat veriore nëse nuk duam t’ua servojmë me duart tona “parathënien për aneksimin” e veriut të Kosovës.