Gjatë kësaj jave, Banka Qendrore e Kosovës e ka miratuar një rregullore, sipas të cilës monedha e vetme që do të lejohet në Kosovë për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme do të jetë vetëm euro. Kjo rregullore është paraparë që të hyjë në fuqi me datën 1 shkurt.
Me këtë vendim ndalohet qarkullimi i monedhës serbe, dinarit. Siç dihet, deri më tani në Kosovë thuajse në të gjitha vendbanimet më shumicë serbe është përdorur dinari për pagesa. Po ashtu, edhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë i kanë marrë pagat e tyre me dinarë. Me këtë valutë janë paguar edhe pensionet dhe shtesat për fëmijë dhe ndihma sociale.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe Bashkimi Evropian. Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një konferencë për media në Bruksel, ka pohuar se Unioni ka kërkuar sqarime nga Kosova për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon përdorimin e valutave të huaja në vend, përfshirë edhe dinarin serb. Po a ashtu Stano ka shtuar se Kosova dhe Serbia duhet që tema të tilla të adresojnë në tavolinën e bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja.
Të revoltuar me këtë vendim janë shprehur për TV Arbërinë edhe disa qytetarë serbë në komunën e Graçanicës. Shumë nga ta pohuan se në këtë mënyrë u vështirësohet jeta dhe se presin që ky vendim të korrigjohet dhe të gjendet një kompromis, përndryshe ata nuk do të mund ta durojnë një gjendje të tillë.
/TV Arbëria