Janari përvitshëm gjente kosovarët, duke pritur në të ftohtë para ambasadave.
Por, janari i vitit 2024, i gjeti ambasadat të zbrazëta, meqë qytetarët tashmë ua kanë kthyer shpinën atyre.
Ata tashmë ia kanë msyrë aerportit ose stacionit të autobusave, ku destinacioni është Evropa.
Liberalizimi i vizave iu mundëson qytetarëve të Kosovës, të qëndrojnë deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh, në cilindo shtet anëtar të zonës Schengen.
Por, cili do të jetë impakti ekonomik e social i liberalizimit të vizave?
Edhe pse një lajm i mirë, liberalizimi i vizave ka ngritur alarmin për ikjen e fuqisë punëtore nga vendi.
Kushtet e punës (pagat e ulëta, mungesa e sigurisë fizike në punë, mungesa e kontratave të rregullta), kushtet për zhvillim në karrierë, mungesa e sigurimit shëndetësor e niveli i ulët i zhvillimit arsimor janë vetëm disa nga faktorët shtytës të cilët nxisin qytetarët ta mendojnë jetën e tyre jashtë Kosovës.
Liberalizimi i vizave nuk mundëson që qytetarët të punojnë në Evropë, por do të mund të shfrytëzohet që ata të gjejnë një vend pune e pastaj përmes migrimit të rregullt, edhe ta lëshojnë vendin për mundësi më të mira.
Sektorët të cilët pritet të goditen nga liberalizimi janë kryesisht sektori i ndërtimtarisë, shëndetësisë, gastronomisë etj.
Se këta sektorë do të përballen me mungesë stafi e punëtorë nuk është vetëm shqetësim e parashikim, tashmë shumë prej tyre i kanë marrë indikacionet e para për këtë fenomen.
Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve ka treguar se me heqjen e vizave, 4 mjekë shprehwn interesim të dalin jashtë vendit, 2 prej tyre vetëm se kanë lëvizur në ditën e dytë të janarit.