Blog Post

Arbëria TV > Featured > Policia e Kosovës pranon donacion vetura dhe pajisje nga Gjermania

Policia e Kosovës pranon donacion vetura dhe pajisje nga Gjermania

Sot në Prishtinë u nënshkrua pranim-dorëzimi i donacionit me vetura si dhe pajisje të teknologjisë për Policinë e Kosovës nga shteti gjerman, gjegjësisht Ambasada Gjermane në Kosovë.

Drejtori i Përgjithshëm, kolonel Gazmend Hoxha, ndër të tjera tha se Policia e Kosovës është mirënjohëse ndaj Ambasadës Gjermane për përkrahjen e vazhdueshme për Policinë e Kosovës në avancimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve operacionale, logjistike dhe të teknologjisë.

Ambasadori i Gjermanisë, Rohde theksoi “Automjetet dhe pajisjet e dhuruara janë pjesë e një bashkëpunimi, brenda të cilit Policia Federale Gjermane ndanë teknologjinë më moderne dhe taktikat hulumtuese, duke e forcuar përkushtimin e Kosovës për të siguruar kufijtë e saj dhe për të kontribuar në sigurinë e të gjithë rajonit.”

Ambasada e Republikës së Gjermanisë si partnerë i përhershëm i Policisë së Kosovës gjatë dy viteve të fundit 2022 dhe 2023 ka përkrahur Policinë e Kosovës, më konkretisht Policinë Kufitare në ngritje të kapaciteteve operacionale dhe logjistike me 59 vetura, 5 kombi-bus dhe 10 motorë të terrenit, në fushën e teknologjisë informative me 130 kompjuter, 16 llaptop, laborator për pikën kufitare Hani i Elezit, projektorë, pajisje të ndryshme për kontrollimin e dokumenteve dhe skenimin e veturave gjatë kontrollit në kufi, dylbi, kamera termike, detektor për identifikim te njerëzve dhe pajisje tjera.

Policia e Kosovës shpreh mirënjohjen e saj për ambasadën e Gjermanisë, për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj PK-së, e cila vazhdon të mbetet e përkushtuar në përmbushjen e vizionit dhe misionit të saj në shërbim ndaj vendit dhe qytetarëve pa dallim.