Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > ShBA’ja sulmon sërish Huthët në Jemen, Biden: Sulmet do të vazhdojnë

ShBA’ja sulmon sërish Huthët në Jemen, Biden: Sulmet do të vazhdojnë

Forcat amerikane kanë kryer sulmet e pesta ajrore në Jemen kundër lëvizjes rebele Huthi, që mbështetet nga Irani.

Presidenti amerikan, Joe Biden, e pranoi se bombardimet amerikane dhe britanike ende nuk kanë ndaluar sulmet e rebelëve jemenas ndaj anijeve në Detin e Kuq që kanë penguar transportin botëror.

Sulmet e fundit të kryera më 18 janar shkatërruan dy raketa kundër anijeve të Huthëve që “synonin jugun e Detit të Kuq dhe ishin bërë gati të hidheshin”, tha Komanda Qendrore amerikane përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.

Pentagoni tha se sulmet u kryen nga një avion i Marinës amerikane i llojit, F/A-18.

Biden tha se SHBA-ja do të vazhdojë sulmet, edhe pse ato deri më tani nuk i kanë ndaluar Huthët që të vazhdojnë të pengojnë anijet tregtare dhe ushtarake.

“Kur thoni nëse ato [sulmet] po funksionojnë, a po i ndalojnë Huthët, jo. Por, sulmet do të vazhdojnë”, tha Biden për gazetarët gjatë nisjes nga Shtëpia e Bardhë për në Karolinën e Veriut.

Disa orë pas kësaj deklarate të Bidenit, gjenerali i Huthëve, Yahya Saree, tha përmes një deklarate se lëvizja rebele ka kryer një sulm tjetër me raketa kundër një anijes Chem Ranger, që është në pronësi të SHBA-së. Sipas Saree, sulmi ndodhi në Gjirin e Adenit, në ujërat në jug të Jemenit.

Komanda Qendrore amerikane tha se sulmi nuk pati ndikim tek anija.

“Ekuipazhi pa që raketat ranë në ujërat afër anijes”, tha Komanda amerikane, duke shtuar se nuk është raportuar për të lënduar apo dëme dhe se anija vazhdoi lundrimin e saj.

Sulmet e Huthëve në Detin e Kuq kanë detyruar SHBA-në dhe partnerët e saj ndërkombëtarë të ndërmarrin hapa për të mbrojtur anijet përmes një operacioni të përbashkët, duke penguar raketat apo dronët që i shënjestrojnë anijet.

SHBA-ja dhe Britania po ashtu kanë kryer sulme ndaj vendeve ku rebelët kanë raketat, radarët dhe sistemet e mbrojtjes ajrore, me qëllim që të shkatërrojnë aftësinë e tyre për të sulmuar.

Për muaj të tërë, Huthët kanë thënë se po sulmojnë anije në Detin e Kuq që janë të lidhura me Izraelin apo që lundrojnë drejt porteve izraelite. Ata kanë thënë se sulmet kanë për synim që të ndalin ofensivën e Izraelit në Gazë.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – nisi pasi Hamasi më 7 tetor sulmoi jugun e Izraelit. Por, sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq janë rritur dhe kanë rritur frikën për zgjerimin e konfliktit në rajon./REL

Powered by WordPress