Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova është vendi më i varfër në Evropë dhe sipas tij, Qeveria në vend që të merret më popullin, ka vendosur ta pasurojë veten.
“Me pagat më të ulta, me çmime jashtë çdo kontrolli, me pensione qesharake, me çmime të papërballueshme të energjisë e të bukës. Ku qeveria, paratë e taksapaguesve i ruan në bunkerin e vet financiar, e nuk I investon në mirëqenien e popullit”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se “njeriu i Kosovës sot është i papërfaqësuar, i kundërshtuar edhe i luftuar”, ndërsa “pushteti politik i ka shpallur luftë edhe njeriut edhe strukturave të shtetit”.
“Ka më shumë se tre vjet që ky pushtet është në luftë me komunat që nuk janë të partisë së tij, në luftë me gjyqësorin, me prokurorinë, me policinë, me mësimdhënësit, me mjekët e infermierët, me veteranët, me sindikatat, me bizneset, me mediat e gazetarët. Ky pushtet është në luftë me secilin që e ka mendjen e tij e nuk mendon si ai. Është në luftë me njeriun e Kosovës”, ka shkruar kreu i AAK-së.
Sipas Haradinajt, edhe miqtë ndërkombëtarë janë duke na u larguar, sepse kemi filluar t’i zhgënjejmë edhe ata.