Mijëra mbështetës të opozitës kanë marshuar të martën në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, në një protestë kundër Qeverisë, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve të muajit të kaluar.
Ai proces zgjedhor është përshkruar si jo i drejtë, sipas vëzhguesve ndërkombëtarë.
Partia në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS) ka fituar 46.72 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe lokale.
Mirëpo, një mision ndërkombëtar vëzhgimi ka thënë se SNS-ja ka siguruar avantazh të padrejtë përmes paragjykimeve mediale, ndikimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe parregullsive zgjedhore, përfshirë blerjen e votës.
Vuçiq dhe aleatët kanë thënë se zgjedhjet janë qenë të drejta.
Marshi është organizuar edhe për të shënuar përvjetorin e gjashtë të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, politikanit serb të Kosovës.
Ivanoviq është vrarë para zyrës së partisë së tij, më 2018, në Mitrovicë të Veriut.
Hetimet për vrasjen e Ivanoviqit janë duke vazhduar në Kosovë dhe Serbi.
Në një adresim para turmës, Marinika Tepiq, lidere e aleancës Serbia kundër Dhunës (SPN), e cila ka dalë e dyta në zgjedhje, ka thënë se opozita vazhdon të jetë e vendosur për të kontestuar rezultatin zgjedhor.
“I gjithë planeti e di, e kemi zënë atë [Vuçiqin], i cili nuk guxon të dalë para popullit të vet”, ka thënë Tepiq, e cila javën e kaluar ka hyrë në grevë dyjavore për të protestuar rezultatin zgjedhor.