Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Sfida strategjike e SHBA-ve në Lindje të Mesme

Sfida strategjike e SHBA-ve në Lindje të Mesme

Përgatiti: Afrim Kasolli- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani janë rezervuar deri më tani që të mos përfshihen në konfrontim të drejtpërdrejtë.

Madje edhe pas fillimit të bombardimeve nga forcat amerikane dhe britanike mbi pozicionet e grupit të armatosur Huthi në Jemen, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Jihn Kirby deklaroi se Shtëpia e Bardhë nuk “dëshiron konflikt me Iranin”.

Ky zyrtar i lartë i Administratës Amerikane pohoi, se “ne nuk dëshirojmë ta përshkallëzojmë situatën dhe nuk ka asnjë arsyeje për të përshkallëzim përtej asaj që ka ndodhur ditëve të fundit”.

Por, është në natyrën e krizave që t’i ushqejë krizat dhe se vorbulla e tyre shpërhapet përkundër mungesës së arsyes për një gjë të tillë.

Kurse, pikërisht sulmet e fundit rrezikojnë t’i ndezin flakët e konfliktit në një luftë më të gjerë rajonale, edhe pse duket që si SHBA-të ashtu edhe Irani si mbështetësi  kryesor i grupit Huthi nuk e dëshiron një gjë të tillë.

Mirëpo, këtu duhet kujtuar, se që nga sulmi i Hamasit, më 7 tetor kundër Izraelit dhe ofensivës së Forcave Mbrojtëse Izraelite në Gaza, është aktivizuar i ashtuquajturi aksi i rezistencës, që e formëson rrjetën e grupeve të armatosura të mbështetura nga Irani.

Kështu, Hezbollahu thuajse ka zhvilluar konfrontime të drejtpërdrejta me forcat izraelite në kufi ndërmjet Libanit dhe Izraelit. Ndërkaq, rebelet Huthi, tashmë kanë filluar t’i sulmojnë gjithnjë e më shumë anijet tregtare në Detin e Kuq, duke shkaktuar një termet ekonomik global.

Ndërkohë, edhe në Irak dhe Siri grupet e mbështetura nga Garda Revolucionare Islamike, kanë sulmuar pozicionet amerikane në këto shtete.

Por, me gjithë këto provokime edhe Irani nuk është i interesuar për një konfrontim të drejtpërdrejtë. Ky shtet është i interesuar të përfitojë nga nxitja e tensioneve, por vetëm deri në një pikë të caktuar, shkruan CNN.

Sepse nëse këto konfrontime të nivelit relativisht të ulët do të përfundonin në një luftë gjithëpërfshirëse më SHBA-në, atëherë forcat e atij shteti do të përballeshin me shkatërrim.

Në këtë mënyre, kjo do ta komprometonte ndikimin në rritje të Teheranit në rajon dhe për më tepër do të shkaktonte një acarim të brendshëm shoqëror, sidomos kur dihet se regjimi ende nuk e ka marrë veten nga protestat e vitit të kaluar.

Rrjedhimisht, përshkallëzimi ka të ngjarë të vazhdojë, edhe pse si SHBA dhe Irani po i kalibrojnë konfrontimet e tyre dhe luten që spiralja e dhunës të mos shpërhapet. Dhe është kjo një sfidë strategjike me të cilën po përballen SHBA-të në krizën e fundit në Lindje të Mesme, ka pohuar Rym Momtaz, Konsulent Kërkimor për Politikën e Jashtme Evropiane dhe Sigurinë.

Sepse tashmë Uashingtonit i duhet të “rivendos lirinë e lundrimit dhe të sigurojë tregtinë ndërkombëtare në Detin e Kuq, si dhe të vazhdojë të sigurohet që frontet e tjera të mos përshkallëzohen në një luftë të vërtetë”.

/TV Arbëria

Powered by WordPress