Ka kaluar mbi çerek shekulli, kur bota u trondit nga ajo që kishte ndodhur në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes. Me 15 janar të vitit 1999, në afërsi të atij fshati, në vendin e quajtur Kodra e Bebushit, u gjetën trupat e 45 shqiptarëve të vrarë nga forcat policore dhe paramilitare serbe.
Shefi i atëhershëm të Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE), William Walker, më të vizituar skenat monstruoze të këtij krimi makabër, pa asnjë hezitim e quajti atë si “krim kundër njerëzimit”.
Siç dihet, ky mision ishte vendosur në bazë të Marrëveshjes së tetorit të vitit paraprak të arritur ndërmjet ish-diplomatit të njohur amerikan Richard Holbrooke dhe ish-drejtuesit jugosllav Slobodan Miloshoviç.
Qëllimi i kësaj strukture vëzhguese civile ndërkombëtare ishte garantimi i paqes në Kosovë.
Por në fshatin Reçak, ndodhi jo që e kishte pasqyruar shumë qartë, ish-presidenti amerikan Bill Klinton “ se varrezat në këto hapësira janë të mbushura përplot me pretimet të thyera nga diktatori serb”, kurse edhe kjo masakër, sipas ish-presidentit amerikan “ishte një akt i qëllimshëm dhe jo selektiv i vrasjeve, i bërë për të krijuar frikë nën mesin e popullit të Kosovës”.
Pas kësaj ngjarje, autoritet serbe u munduan me çdo kusht ta mbulojnë këtë krim monstruoz. Kështu trupat e pa jetë të të vrarëve u morën me forcë nga Xhamia e fshatit dhe ishin sjellur në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Më ketë rast një ekip i mjekëve patologë serbë dhe bjellorusë, pas autopsisë së bërë, me një raport të manipuluar kishte konstatuar se nuk kishte shenja se viktimat ishin ekzekutuar nga afër dhe së te vrarët kishin pasur gjurmë të armëmbajtjes në duart e tyere.
Pamje se si patologët serbë dhe bjellorusë manipuluan me raportin mjekësor të masakrës së Reçakut
Pra në këtë mënyrë Serbia po e vazhdonte e kriminin e dyfishtë mbi viktimat.
Mirëpo, ishte raporti i patologëve finlandezë të udhëhequr nga Helena Ranta që i demantoj gjetjet e patologëve serbë dhe bjellorusë.
Në raportin profesional të publikuar me 17 mars, kjo patologe konstatonte se viktimat ishin civilë të paarmatosur. Dhe se ajo që ka ndodhur në Reçak, nuk ishte asgjë tjetër, pos “krim kundër njerëzimit”
Kjo ngjarje e ndryshoi përfundimisht historinë e Kosovës. Mos tolerimi i politikave gjenocidiale të regjimit të Milosheviqit u shtrua si imperativ i domosdoshëm.
Në funksion, të këtij synimi, Bashkësia Ndërkombëtare e organizoi Konferencën e Rambujës. Serbia nuk pranoi ta nënshkruante këtë marrëveshje.
Pas këtij refuzimi filluan bombardimet e Aleancës Veri-atlantike kundër caqeve ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, intervenim ky që rezultoi me çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999.
Ndërkohë, mohimi i kësaj masakre nga Serbia ka vazhduar deri me sot.
Zyrtarët me të lartë të këtij shteti e konsiderojnë atë si një gënjeshtër dhe falsifikim të tmerrshëm.
Ish-ministri i brendshëm dhe ish-shefi i Shërbimit Informativ të shteti serb, Aleksandër Vulin, jo më larg se në fund të vitit 2021 pat pohuar se “agresioni i NATO-së, kundër caqeve të ushtrisë serbe, filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun.
Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë e as të zgjuar për t’i treguar të gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte ajo”.
Pas kësaj deklarate shokuese, reaguan edhe shtetet perëndimore. Departamenti Amerikan i Shtetit në një kundërpërgjigje kishte pohuar se “mizoritë që kanë ndodhur në Reçak në janar të vitit 1999, përfshirë masakrën e civilëve, janë të dokumentuara mirë.
Kështu, mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhëromi i krimeve të luftës sjellin dhimbje për të mbijetuarit dhe çnderojnë viktimat”.
Me këtë qasje Serbia vetëm sa po dëshmon se nuk e ka në plan të çlirohet nga peshe e krimeve monstruoze që la pas gjatë përpjekjes për ta jetësuar projektin gjenocidial serb.
Se ai vend vazhdon te jetë i zhytur në moçalin e “fajit kriminal, moral, politik, dhe metafizik”.
Model ky, që dikur e kishte analizuar mendimtari i njohur gjerman në Karl Jaspers në librin “The Question of German Guilt” si pjesë e përpjekjeve të atij për katarsis moral shoqëror dhe denazifikim politik të shtetit të tij.
Po ashtu, kjo simbioze e politikës serbe me krimin, tregon se ky shtet refuzon ta pranojë edhe njërin nga parimet me të njohura të botës perëndimorë që u sajua si reagim nda krimeve që kishin ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërorë, “Never Again”.
Ndërkohe, mjerisht edhe pse ka kaluar një çerek shekulli ende askush nuk është dënuar për masakrën e Reçakut. E mungesa e drejtësisë nuk paraqet asnjë tjetër pos riviktimizim të viktimave.
/TV Arbëria