Frederiku X u bë mbret i Danimarkës të dielën, duke pasuar nënën e tij, Mbretëreshën Margrethe II, e cila zyrtarisht lëshoi fronin pas 52 vjetësh si monarke. Turma të mëdha njerëzish u mblodhën në kryeqytet për të qenë dëshmitarë të këtij momenti historik.
83 vjeçarja Margrethe, shkaktoi befasi kur njoftoi natën e Vitit të Ri se do të hiqte dorë nga froni, duke u bërë monarkja e parë daneze në gati 900 vjet që e bën një gjë të tillë.
Danimarka është një nga monarkitë më të vjetra në botë.
Margrethe nënshkroi deklaratën e tërheqjes nga froni në një takim të Këshillit të Shtetit në parlament, tha pallati mbretëror.
Në takim morën pjesë përfaqësuesit e qeverisë, Margrethe, 55 vjeçari Frederik, gruaja e tij australiane, Mary, 51 vjeç, e cila tani është mbretëreshë, dhe djali i tyre i madh Christian, 18 vjeç, i cili është trashëgimtari i ri i fronit. Monarkët e rinj kanë edhe tre fëmijë të tjerë.
Rreth një orë pas nënshkrimit, kryeministrja Mette Frederiksen shpalli mbretin e ri në ballkonin e parlamentit dhe Frederiku mbajti një fjalim të shkurtër. Në temperatura pranë ngrirjes, dhjetëra mijëra njerëz nga e gjithë Danimarka u mblodhën në kryeqytetin Kopenhagë për të ndjekur këtë ngjarje, një shenjë e popullaritetit të madh që gëzon monarkia në vendin me gati gjashtë milionë banorë..