Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Rusia në Afrikë: Puçet, mesazhet kundër Perëndimit dhe rënia e Prigozhinit

Rusia në Afrikë: Puçet, mesazhet kundër Perëndimit dhe rënia e Prigozhinit

Kur themeluesi i forcave mercenare Wagner, Yevgeny Prigozhin, u vra gjatë rrëzimit të avionit me të cilin po udhëtonte në gusht, saktësisht dy muaj pasi udhëhoqi rebelimin që sfidoi pushtetin 24-vjeçar të presidentit Vladimir Putin, kjo ngjarje hodhi një re të trashë mbi të ardhmen e Rusisë në Afrikë.

Që kur Perëndimi nisi të izolonte Rusinë pasi Moska mori nën kontroll rajonin ukrainas të Krimesë më 2014, Putin kishte tentuar që të ripërtërinte lidhjet e epokës sovjetike me shtetet në Jugun Global, veçanërisht në Afrikë, duke përdorur kompaninë paramilitare të Prigozhinit si një prej mjeteve më të rëndësishme të tij të ndikimit.

Një biznesmen i zoti dhe lider karizmatik, i cili thuhej se gëzonte besnikëri të madhe nga trupat e tij, Prigozhin kishte marrë klientë në disa shtete afrikane që kërkonin mbrojtje për regjimin pas përhapjes së paqëndrueshmërisë, duke lëvizur para dhe armë në mbarë kontinentin përmes një rrjeti të ndërlikuar kompanish që ai kontrollonte.

Përveç rritjes së ndikimit të Moskës në Afrikë, prania e Wagner-it ka qenë fitimprurëse. Një raport i publikuar në muajin dhjetor nga një grup pro-demokracisë, me seli në SHBA, tha se analiza e tij “sugjeron se Wagner-i dhe Rusia kanë fituar mbi 2.5 miliardë dollarë nga nxjerrja e arit [në Afrikë] që nga nisja e pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022”.

Por, rënia e Prigozhinit pas nëntë vjetësh në krye të Wagner-it ngriti pyetje nëse Rusia do të jetë në gjendje të sigurojë një transferim të kontrollit mbi mercenarët afrikanë, dezinformatave dhe operacioneve të biznesit të grupit për shërbimet e sigurisë dhe për aleatët e zgjedhur të Putinit.

Zyrtarët rusë të mbrojtjes dhe ata të inteligjencës në muajt e fundit kanë shkuar në Afrikë për të siguruar klientët ekzistues për vazhdimësinë dhe potencialisht për të tërhequr klientë të rinj.

Më herët gjatë muajit dhjetor, një hulumtim i Radios Evropa e Lirë gjeti se një ish i dërguar i Kremlinit në BE, i cili sipas diplomatëve evropianë kishte lidhje me inteligjencën ruse, ishte dërguar në Republikën Qendrore të Afrikës, për të mbikëqyrur koordinimin midis grupit mercenar, Wagner, dhe forcave lokale të sigurisë.

Ndërkaq, The Wall Street Journal raportoi në dhjetor se inteligjenca perëndimore tregoi se ish-shefi operativ i kompanisë së pagesave, Wirecard, Jan Marsalek – që gjendet në arrati – tani po ndihmon Rusinë të “rikonfigurojë perandorinë e biznesit [të Prigozhinit] në Afrikë”.

Mediat kanë raportuar se ushtria ruse po krijon një forcë të quajtur Korpusi i Afrikës si zëvendësim për Wagner-in, dhe kanalet në Telegram kanë publikuar reklama për rekrutim. Por, Ministria ruse e Mbrojtjes nuk ka konfirmuar plane të tilla dhe është e paqartë se sa përparim është bërë për këtë nismë./Bota sot/

Powered by WordPress