Shkruan: Afrim Kasolli
Informacioni i ndarë nga ambasada amerikane në Beograd para autoriteteve të këtij shteti, se Kosova ka bërë kërkesë për të blerë raketa kundër-tanke Javelin nga ShBA-të, ka ndodhur në një kontekst interesant gjeopolitik, si rajonal ashtu edhe më gjerë. Po ashtu, ky lajm bëhet i ditur pak ditë pas vizitës së Sekretarit të jashtëm Britanik David Cameron në Prishtinë, ku krye-diplomati nga Londra, u shpreh shumë qartë në mbështetje të Kosovës, duke i dënuar sjelljet e Beogradit, sidomos ato që kanë të bëjnë me sulmin e 24 shtatorit. Dënim ky, që nxiti reagimin e zyrtarëve më të lartë të shtetit serb, fillimisht ministrit të Jashtëm Ivica Daçiq, e më vonë edhe të presidentit Aleksandër Vuçiq.
Sidoqoftë, ky ndryshim i “befasishëm” diplomatik i dy prej shteteve më të rëndësishme të komunitetit trans-atlantik, mbase nuk është i rastësishëm. Por, është kristalizuar në një kohë kur fillimisht lufta ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë është katandisur në një situatë pa shtegdalje, sepse tashmë është e qartë se as Ukraina nuk mund të ketë sukses të plotë kundër agresionit rus në një të ardhme të afërt, po ashtu edhe Rusia nuk mund të ketë sukses në pushtimin e plotë të Ukrainës.
Në anën tjetër, konflikti në Lindje të Mesme, për shkak të luftës ndërmjet shtetit të Izraelit dhe grupit militant palestinez të Hamasit në rripin e Gazës po agravohet dita ditës. Kriza në Detin e Kuq, i cili përbën njërën nga arteriet kryesore detare të tregtisë botërore është vetëm njëra nga pasojat e drejtpërdrejta të këtij zhvillimi me implikime ekonomike planetare.
Mirëpo, përpos kësaj situate të komplikuar ndërkombëtare, duhet të ceket se ky ndryshim po ndodh edhe në një ambient të tensionuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kulmi i të cilave arriti me 24 shator, të vitit të kaluar, ku gupe të armatosura nga Serbia e sulmuan Kosovën, si dhe ngërçit ku është futur dialogu i ndërmjetësuar nga Brukseli për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Dhe kjo bllokadë nuk ka të bëjë vetëm me problemet e fundit, sepse dialogu ndërmjet dy vendeve ka më shumë se një dekadë që ka filluar. Kurse vetëm vitin e kaluar, Serbia disa herë e ngriti nivelin e lartë të gatishmërisë ushtarake në kufij me Kosovën.
Siç dihet, një nga qëllimet themelore të procesit negociator, krahas normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve ka qenë edhe shtrimi i rrugës së tyre drejt integrimit evropian. Mirëpo, e vërteta është se ka ndodhur e kundërta. Serbia, përkundrazi, kohën e fundit është larguar edhe më shumë nga Evropa dhe është afruar me Rusinë, si dhe i ka intensifikuar raportet bilaterale me Kinën.
Madje, nuk është e rastësishme që pikërisht në kohën kur në Tiranë po mbahej Samiti i Berlinit, ku liderët perëndimorë u mblodhën në kryeqytetin shqiptar për të inkurajuar agjendën integruese të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, presidenti i Serbisë në vend të pjesëmarrjes në këtë event, vendosi të shkoi në Pekin, për të marrë pjesë në ngjarjen e organizuar nga kryetari i atij shteti Xi Jinping, e ku prezent ishte edhe kryetari rus, Vladimir Putin, me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit të projektit “Rruga dhe Brezi”. Takim ky, që reflekton edhe ambiciet revizioniste gjeopolitike të këtyre dy fuqive autokratike, për të çmontuar parimet e rendit ndërkombëtar në epiqendër të të cilit ndodhen ShBA-të.
Janë këto arsye, madje që jo pak ditë më parë, gazeta e njohur amerikane “Washington Post” e quante si të dështuar politikën e presidentit Joe Biden në raport me Serbinë. Sipas kësaj gazete, hiç më larg se në vitin 2022, Moska dhe Beogradi, kanë nënshkruar një marrëveshje për përafrimin e politikës së jashtme ndërmjet dy vendeve, edhe përkundër faktit se lufta në Ukrainë ndodhej në kulmin e saj. Për më tepër sipas kësaj prestigjioze, dëshmohet se si kryetari serb i ka mashtruar liderët e shteteve perëndimore, duke u thënë në takime të mbyllura, se ai po e bën të pamundurën për ta larguar “popullin e tij rebel” nga orbita ruse, por që për shkak të presioneve të brendshme është i detyruar të aktrojë tjetër lojë.
Gjenealogjia e këtij procesi ka treguar se si Serbia i ka shfrytëzuar benefitet perëndimore, jo për t’u adaptuar me rregullat dhe parimet e kësaj provenience, por për ta shndërruar veten në agjente të interesave ruso-kineze, me qëllim të minimit të saj. Dhe si i ka keqpërdorur shumë nga nismat ekonomike rajonale, sikurse Procesi i Berlinit, Ballkani i Hapur, etj., që në të vërtetë u krijuan nga shtetet perëndimore, me qëllim që fillimisht Serbisë t’i garantohet një treg me i gjerë rajonal, vetëm e vetëm që ajo ta riorientoj politikën e saj shtetërore në drejtim të komunitetit trans-atlantik. E ku në fund të bëhet pjesë projektit “post-historik” të paqes “kantiane” evropiane, si dhe të jetojë në raporte të fqinjësisë së mirë dhe në paqe me vendet e tjera fqinje, duke përfshirë edhe Kosovën.
Mirëpo, mjerisht asnjë nga këto metoda me qëllim të përafrimit të këtij shteti nuk dhanë rezultate. Politika e tij u zhyt edhe më shumë në fantazmat anakronike të nacionalizmit hegjemonist të “botës serbe” një shprehje kjo tipike e mendësisë neo-fashiste. Çfarë edhe dëshmon se ky shtet, nuk e ka në plan të pajtohet me realitetin, por ëndërron si t’i hakmerret ndaj të tjerëve në një të ardhme kur perëndimi të jetë dobësuar. Kurse, për ta plotësuar këtë apetit do të vazhdojë të armatoset nga Rusia dhe Kina njëkohësisht.
Është mbase ky sfond i ngjarjeve të sipër-cekura, që i ka detyruar fillimisht diplomacinë britanike dhe pak ditë më vonë atë amerikane, t’ia bëjnë të ditur Vuçiqit, se nëse e vazhdon këtë lojë dyfishtë, ata jo vetëm që do ta mbrojnë Kosovën, por edhe do ta armatosin atë me pajisje moderne për t’u vet-mbrojtur nga politika e saj agresive. Se nuk mund ta konsiderojë veten si hegjemone absolute në rajon që do të mund ta cenojë sigurinë e të tjerëve sipas diktatit të saj. Ndërkaq, nëse e refuzon dhe saboton ofertën e tyre të paqes “kantiane” nuk do të tolerohet pafundësisht, por do të përballet me rivalitetin rajonal gjeopolitik “hobsbian” ndërmjet shteteve, të cilat po ashtu do të kenë kapacitete t’i kundërvihen.
Është kjo një doktrinë politike në marrëdhëniet ndërkombëtare mbi të cilat është formësuar shkolla realiste. Prandaj, nuk është e rastësishme që edhe Lordi Cameron, me tu kthyer në Britani, gjatë raportimit para Komitetit për punë të jashtme të Parlamentit britanik, pohoi se “politika jonë duhet të jetë më e ashpër dhe realiste”. E realizëm nuk do të thotë asgjë tjetër, pos që shtetet të cilat veprojnë në një ambient ndërkombëtar të jenë pak a shumë të ekuilibruara sa i përket forcës. Mesazh ky, që ia kumtoi Serbisë, Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, se kjo mund të bëhet edhe duke e armatosur Kosovën, pasi kjo e fundit ka bërë tashmë kërkesë për të blerë raketa kundër-tanke Javelin.
/TV Arbëria