Ministria e Shëndetësisë së Kosovës për shkak të situatës epidemiologjike me gripin sezonal, ka apeluar për vigjilencë të shtuar.
“Situata epidemiologjike me gripin sezonal. Sipas të dhënave të fundit nga IKSHPK dhe nga institucionet shëndetësore, intensiteti i gripit sezonal sipas numrit të rasteve të raportuara për javën e parë të vitit 2024, paraqitet me aktivitet më të lartë të qarkullimit dhe krahasuar me javën paraprake ka shënuar rritje dhe e kalon pragun epidemik. Si rrjedhojë apelojmë për vigjilencë të shtuar!”, kështu ka njoftuar MSh-ja përmes një postimi në Facebook, përcjell Klankosova.tv.
Më tutje ministria ka rreshtuar disa nga masat parandaluese më të rëndësishme ndaj këtij gripi.
“Në rast simptomash të gripit konsultoni mjekun familjar për këshilla dhe trajtim të duhur.
Masat e rëndësishme për parandalim:
- Mbuloni hundën dhe gojën kur të teshtini dhe kolliteni;
- Praktikoni higjienën e duarve dhe shmangni kontaktet e afërta me të sëmurët;
- Nëse jeni të sëmurë, qëndroni në shtëpi për të parandaluar përhapjen e mëtejshme;
- Ushqimi i shëndetshëm me më shumë lëngje, kryesisht vitaminoz dhe gjumi i mjaftueshëm janë të rëndësishëm”.
Po ashtu kjo ministri ka njoftuar që disa nga grupet e njerëzve të kenë kujdes të shtuar gjatë kësaj sezone.
“Kujdes i shtuar për grupet më të rrezikuara: Është veçanërisht e rëndësishme që grupet si: Personeli shëndetësor, gratë shtatzëna, fëmijët, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar, të kenë kujdes më të shtuar gjatë sezonit të gripit”.
Përndryshe sipas ministrisë vaksinimi mbetet mbrojtja më efikase.
“Vaksinimi – mbetet mbrojtja më efikase: Qysh në fillim të tetorit 2023 Ministria e Shëndetësisë ka siguruar 85 mijë doza të vaksinës sezonale”, ka shkruar ministria.