Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > ‘Kishte qëllim të krijojë pasoja të rënda për Kosovën’, Nuredin Ibishi flet për sulmin në Banjska

‘Kishte qëllim të krijojë pasoja të rënda për Kosovën’, Nuredin Ibishi flet për sulmin në Banjska

Në orët e hershme të 24 shtatorit të vitit që lamë pas, një grup terrorist serb, të udhëhequr nga Milan Radoiçiq, organizuan një sulm të armatosur në Banjska të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i policisë, heroi Afrim Bunjaku.

Rreth këtij sulmi, eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi thotë për KosovaPress, se sektori i sigurisë gjatë 2023-së u ballafaqua në mënyrën më të mirë në kuptim të kundërvënies, pasi në mënyrë profesionale Policia e Kosovës arriti të neutralizojë grupin terrorist.

Ibishi vlerëson se situata e sigurisë vazhdon të jetë e brishtë në veri dhe se për këtë janë shtuar forcat policore. Ai thotë se sulmi terrorist i 24 shtatorit ishte akti më i rëndë, i cili cilësohet si agresion, ku u kap një arsenal i madh i armatimit, pajisjeve dhe automjeteve të grupit terrorist serb.
Ai e quan të padrejtë vendosjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, të cilat vazhdojnë të mbeten në fuqi.

Lexo po ashtuPërkujtohen heronjtë Rexhep Mala e Nuhi Berisha në 40-vjetorin e rëniesProblemi sipas tij është arrestimi i Milan Radoiçiq, për të cilin është lëshuar kërkim ndërkombëtar nga Interpoli. Ai thotë se mos ekstradimi i tij nga Serbia po e bën më shumë problematike çështjen e hetimeve në Kosovë.

Ibishi thotë se vlerësimet e institucioneve kosovare për një sulm tjetër të mundshëm nuk vijnë kot, por nga informacionet e mbledhura kjo situatë paraqitet ende më sfiduese, me rreziqe dhe kërcënime për sigurinë në Kosovë, me mundësinë e përsëritjeve të rasteve të ngjashme.

/TV Arbëria