Viti i ri 2024 filloj me një lajm të pritur, lajm pozitiv por të vonuar që ka të bëjë me liberalizimin e vizave. Kjo ka qenë një ëndërr e kamotshme që në Kosovë vërtetë ka ndikua në forma të ndryshme, ka qenë një mungesë e liberalizimit që ka goditur ekonominë e Kosovës, në aspektin politik e ka dëmtuar imazhin e Kosovës por në aspektin psikologjik dhe emocional ka qenë vërtetë një momentum ku shqiptarët apo kosovarët e kanë ndjerë veten të përjashtuar padrejtësisht.
Ajo çfarë është duke dominuar kohëve të fundit është debati rreth largimit të qytetarëve të Kosovës nga Kosova. Duhet të kuptohet që nga Kosova nuk tentojnë apo pretendojnë të largohen vetëm të papunët dhe skamnorët, janë duke ikur edhe familje që e kanë një stabilitet ekonomik dhe në këtë drejtim kjo duhet të jetë një brengë për institucionet që të bëjnë më tepër për ti motivuar të rinjët dhe qytetarët e Kosovës për të qëndruar në Kosovë dhe jo për ti numëruar sa ikin nga Kosova.
Janë shumë arsye pse ata po largohen do të thotë mungesa e stabilitetit politik është mungesë e një perspektive ekonomike, është një imazh i dëmtuar i Kosovës. Nëse në këtë kohë kemi ministra dhe politikanë të nivelit të lartë kosovar të cilët në një lloj forme çdo ditë futin frikë përmes paralajmërimeve për luftë, futin frikë dhe hezitim për të besuar në ardhmëri duke shpallur Kosovën si shtet të përkohshëm janë vërtetë dëme që po i bëhen Kosovës. Nevojat për të kërkuar arsim më të mirë dhe sistem të shëndetsisë janë po ashtu një ndër arsyet.
Mesazhi më i mirë për institucionet dhe sektorin privat është që të mos vajtojnë për ata që po ikin por të bëjnë më tepër që ata që janë në Kosovë të mbeten në Kosovë. Kam pritur që këto ditë qeveria apo kryeministri do të del me një konferencë për media për të paralajmëruar fillimin e zbatimit të ligjit për sigurinë shëndetsore, kam pritur që do të ketë një pako për të motivuar të rinjët dhe bizneset , për të rritur pagat dhe për të krijuar stabilitet social. Kam menduar që do të ketë kampanja vetëdijësuese se Evropa nuk është ajo e viteve të 90-ta por është në masa të inflacionit dhe në një presion politik shkaku i ndodhive globale, prandaj definitivisht është obligim moral që të punohet në këtë drejtim.
E drejta për të lëvizur është humane dhe njerëzore , e drejta për të gjetur për të jetuar aty ku është më mirë dhe ku e ndjen veten po ashtu është e drejtë humane dhe në këtë drejtim duhet të krijohen kushtet për të jetuar në Kosovë, për të mos e zbrazur Kosovën dhe jo për të vajtuar se sa e si po ikin nga Kosova.