Egjipti dhe Jordania kanë paralajmëruar kundër çdo ripushtimi izraelit të Rripit të Gazës dhe kanë bërë thirrje që banorët e zhvendosur të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre.
Këto thirrje u bën gjatë takimit të udhëheqësve të këtyre dy shteteve me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, më 10 janar.
Përderisa Izraeli po vazhdon fushatë e tij ushtarake, që ka paralajmëruar se do të zgjasë për muaj të tërë, Abbas, mbret i Jordanisë, Abdullah, dhe presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, po ashtu përsëritën qëndrimin se refuzojnë planet për të zhvendosur palestinezët nga tokat e tyre.
Egjipti ka thënë se një rrezik i tij është rritur që kur ka nisur lufta midis Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – pasi shumica e banorëve të Gazës janë zhvendosur në jug, pranë kufirit me Egjiptin.
Jordania ka shprehur shqetësim për rritjen e paqëndrueshmërisë dhe për sulmet ndaj palestinezëve nga kolonët hebrenj në Bregun e pushtuar Perëndimor nga Izraeli. Jordania ndan një kufi me këtë territor.
Komuniteti ndërkombëtar duhet të paraqesë “një qëndrim vendimtar” për të kërkuar një armëpushim të menjëhershëm në Gazë, u tha në deklaratën e lëshuar nga zyra e al-Sisit.
Të tre udhëheqësit konfirmuan se “kundërshtojmë çdo përpjekje për ripushtimin e pjesëve të Gazës dhe duhet që njerëzit të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre”, u tha në njoftim.
Egjipti dhe Katari ndarazi po tentojnë të ndërmjetësojnë një armëpushim të ri mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë dhe të sigurojnë lirimin e pengjeve izraelite që Hamasi i mori gjatë sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit.
Gjatë sulmit, radikalët palestinezë sulmuan jugun e Izraelit duke vrarë 1.200 persona dhe marrë peng 240 të tjerë. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme ajrore, tokësore dhe detare që kanë lënë të vdekur mbi 23.000 palestinezë në Rripin e Gazës.
Më herët gjatë këtij muaji, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, tha se pas përfundimit të luftës në Gazë, Izraeli rezervon lirinë që të operojë me ushtrinë e tij në enklavë, por mohoi se do të rikthen kolonët izraelitë, që u tërhoqën më 2005.
Izraeli e ka pushtuar Gazën në luftën gjashtëditore të vitit 1967 dhe është tërhequr nga ky territor më 2005. Dy vjet më vonë, Hamasi e ka marrë kontrollin e këtij territori./REL