Në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, janë anuluar dy seanca të cilat janë paraparë të mbahen për këtë javë.
Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, seancat e parapara për 11 dhe 12 janar 2024, janë anuluar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Trupi gjykues gjatë seancës së së mërkurës në çështjen gjyqësore ndaj Shalës, dha disa urdhra me gojë duke përfshirë edhe urdhrin për kërkesën e mbrojtjes së Pjetër Shalës për të shtuar psikologen Vanessa Milazzo në listën e dëshmitarëve, si dhe për të përfshirë akt-ekspertizën e saj në listën e provave materiale.
Megjithatë, trupi gjykues refuzoi pjesën e kërkesës së mbrojtjes për dëshminë e kësaj dëshmitareje në gjykatë.
Ndërsa pas kësaj, seanca e sotme ka përfunduar në të cilën mbaroi dëshminë dëshmitari i 10-të i mbrojtjes, Safet Gashi.