Deputetja britanike Alicia Kearns, ka deklaruar se edhe një vend tjetër është duke i kryer hetimet për sulmin terrorist në Banjskë, por që nuk po i bënë publike të gjeturat.
Ajo tha se ky vend është anëtar i aleancës “Five Eyes”. Këto komente Kearns i bëri gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme të Sekretarit të jashtëm britanik, David Cameron.
“Unë e di që një vend tjetër – një vend i Five Eyes – ka me të vërtetë një hetim të tërë, por ata nuk janë të gatshëm t’i publikojnë ato rezultate. Kështu që, unë mendoj se në Mbretërinë e Bashkuar duhet të dalin me rezultate duke shpjeguar saktësisht se çfarë ndodhi atë ditë sepse Vuçiq ende thotë se ajo që ndodhi atë ditë, nuk ka ndodhur”, tha Kearns.
Deputetja shtoi se NATO nuk e mori parasysh shqetësimin e saj që tha vitin e kaluar se po kontrabandohen armë në Kosovë të cilët po vendosen në kisha.
Kearns tha se BE dhe SHBA duhet të dalin me përgjigje për Banjskën meqë kanë vendosur masa ndaj Kosovës.
“Në këtë fazë asnjë qeveri nuk ka ardhur të thotë kjo është ajo që ka ndodhur, këta janë ata që i kanë armatosur, nga kjo ka ardhur…Jam e interesuar të di pse s’ka pas një përgjigje nga BE-ja dhe veçanërisht nga SHBA, që kanë vendosur masa ndaj Kosovës”, tha deputetja britanike.
“Five Eyes” është një rrjet i inteligjencës i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore midis Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re.
Këto vende punojnë në bashkëpunim në çështjet e inteligjencës, duke bashkuar burimet e tyre dhe duke ndarë informacione të ndjeshme për të garantuar sigurinë kolektive dhe për të luftuar kërcënimet globale. /Telegrafi/