Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se rrahja e politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq, dhe kërcënimet e drejtorit të shkarkuar të BIA-s, Aleksandar Vulin ndaj kundërshtarëve politikë, dëshmojnë kahjen e ecjes së Serbisë.
Sipas tij, po dënohen dhe kërcënohen të gjithë ata që kanë qëndrim të kundërt nga narrativa zyrtare në Serbi.
“Dënohen apo kërcënohen të dënohen të gjithë ata që për çështjet e caktuara politike kanë qëndrim apo deklarim të kundërt nga narrativa zyrtare. Kërcënimet po bëhen histerike ndaj atyre që flasin për Kosovën shtet apo krimet e kryera në Kosovë.
Rrahja e politikanit opozitar, N. Sandulloviq, kërcënimet e drejtorit të shkarkuar të BIA-s, A. Vullin, se ‘ka lënë në proces shumë akuza ndaj individëve’ vetëm dëshmojnë kahjen e ecjes ky Serbisë”, ka shkruar Kamberi në Facebook.
Duke e përdorur termin “delikt verbal”, Kamberi ka thënë se këto veprime që kundërshtohen me ligj, ekzistojnë në regjimet totalitare, ku nuk lejohet fjala e lirë.
“Është e tmerrshme që, drejtori i inteligjencës, i shkarkuar për shkak të sanksioneve të Thesarit amerikan dhe akuzave për ‘bashkëpunim me krimin e organizuar’, të ketë akoma fuqi për të kërcënuar kundërshtarët politik. Deliktet verbale zakonisht ekzistojnë në regjimet totalitare që nuk lejojnë fjalën e lirë dhe angazhohen për të shtypur formimin e opinionit publik që kundërshton politikën zyrtare. Delikti verbal, i njohur edhe si vepër penale kundër shtetit ose popullit, ishte një term joformal për veprën penale të specifikuar në nenin 133. të Kodit Penal të RSFJ-së”, ka shkruar ai.
Politikani opozitar serb është rrahur brutalisht nga policia sekrete serbe, në ndërtesën e BIA-s ditë më parë.
Sipas familjes dhe avokatit të tij, arsyeja ishte një postim i tij në X duke bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, duke thënë se është i vetmi politikan nga Serbia që nderoi viktimat e pafajshme shqiptare.