Arbër Rexhaj, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në një prononcim për TV Arbëria, i ka komentuar diskutimet e fundit se vendi ynë mund të shkojë shumë shpejt në zgjedhje të parakohshme.
Ai e ka mohuar një gjë të tillë, duke shtuar se as nuk ka arsye për zgjedhje parakohshme, sidomos kur marrim parasysh sukseset e pushtetit në këtë fillim vit. Deputeti në fjalë, ka shtuar se liberalizmi i vizave më 1 janar për qytetarët e Kosovës, zbatimi i marrëveshjes për targat, si fillimi i pagesës së energjisë nga banorët serbë në veri, përbëjnë vetëm disa nga sukseset e ekzekutivit. Dhe sipas tij, projekte të tilla duhet të vazhdohen dhe jo të shkohet në zgjedhje. Ky edhe mund të jetë një vit elektoral, por jo zgjedhor.
Natyrisht, z. Rexhaj e ka pranuar se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, është gjendur nën presion ndërkombëtar sa i përket temës së Asociacionit, zgjedhjeve lokale në veri, por që sipas tij këto tema nuk paraqesin asgjë të re në këtë drejtim.
Sa i përket thirrjeve të opozitës për zgjedhje të parakohshme, ai deklarata të tilla ka thënë se janë të motivuara më shumë për konsum ditor elektoral se sa sinqerisht ato e kërkojnë një gjë të tillë.
Me këtë rast, zoti Rexhaj i është referuar edhe disa hulumtimeve të opinionit publik, ku thuhet se Lëvizja Vetëvendosje do t’i fitonte 48 përqind të votave të trupit elektoral, duke ua bërë me dije partive opozitare se të parat që do ta pësonin nëse shkohet në një proces të ri zgjedhor do të ishin vet ato nga disfata e pashmangshme që i pret.
Mirëpo, e vërteta është, se jo vetëm deputetë të opozitës janë të mendimit se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Para pak dite, edhe vet kryeparlamentari Glauk Konjufca, në një intervistë për Rubikon u shpreh, se sipas mendimit tij do të ishte mirë që ato të mbaheshin.
Video e plotë:
/TV Arbëria