Vendimi i Spanjës për pranimin e pasaportës së Kosovës, duke lejuar lëvizjen e lirë të kosovarëve edhe në këtë shtet, sipas gazetës spanjolle “El Debate” të martën, paraqet “hapin e parë” drejt njohjes formale të pavarësisë së vendit të vogël ballkanik, derisa konsiderohet se ky akt do të nxisë pasionet e “nacionalistëve dhe mbështetësve” të pavarësisë së Katalonjës.
Spanja është një prej pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) që nuk e njeh pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Logjika është shumë e thjeshtë – nëse Madridi pranon se Prishtina ka të drejtën e pavarësisë kombëtare, atëherë standardi i njejtë duhet të aplikohet edhe në rastin e Katalonjës, rajon ky që prej kohësh synon shkëputjen dhe pavarësinë nga Spanja.
“Dhe njohja e Kosovës ka qenë gjithmonë një kërkesë e baskëve dhe katalanasve të cilët e shohin shpalljen e njëanshme të pavarësisë si një model për t’u ndjekur edhe pse Kosova ka shumë pak ngjashmëri me shtetin bask apo me Katalonjën”, shkruan gazeta e përditshme spanjolle në një artikull kushtuar polemikave në vend për vendimin e fundit të Qeverisë së Spanjës.
/TV Arbëria