Pas tri jave pushimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë sot palët do të kthehen në sallat e gjykimit, për të rinisur punën e tyre.
Sipas kalendarit të kësaj Gjykate, nga e marta e deri të premten, para trupit gjykues do të paraqitet Pjetër Shala, derisa javën tjetër gjykimi do të vazhdojë edhe për ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaci, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.
Monitoruesi e avokati Amer Aliaj, thotë se ky vit do të vazhdojë njëjtë sikurse i kaluari, me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria, në rastin kundër Thacit dhe të tjerëve.
Të njëjtën e thotë edhe avokati i akredituar, Artan Çerkini i cili shton se në muaj e parë të këtij viti, trupi gjykues do të mund të vendos rreth çështjes së Pjetër Shalës, i cili akuzohet për krimet lufte.
“Rastet e pengimit në drejtësi, me sa kam parë nuk ka arsye të zvarriten sepse numri i dëshmitarëve, nuk është i madh sidomos në këto 3 rastet e fundit, dhe ka gjasa reale që gjykimi të përfundojë brenda vitit, ndërsa edhe gjykimi ndaj Pjetër Shala është drejt përfundimit dhe besoj se brenda këtij viti e ndoshta në gjysmën e parë e këtij viti do ta kemi, një aktgjykim në lidhje me rastin e tij”, ka thënë Artan Çerkini – Avokat.
Tutje Çerkini thotë se gjykata duhet të marr një vendim, sa i përket dëshmitarëve, sepse është një numër i madh dhe se dëgjimi i tyre do të marr shumë kohë.
“Edhe sivjet gjykata ka mundësi që të zvogëlojë kuadrin e dëshmive që ti heqë disa dëshmitarë ngase numri i tyre është shumë i madh e nëse të gjithë dëshmitarët do të dëgjohen, atëherë seriozisht rrezikohet zbatimi praktik, i parimit të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm”, shtoi ai.