Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Grip sezonal, apo Covid 19, flet ekskluzivisht për TV Arbëria, Prof. Dr. Sali Ahmeti

Grip sezonal, apo Covid 19, flet ekskluzivisht për TV Arbëria, Prof. Dr. Sali Ahmeti

Fundi i vitit 2023 dhe fillimi i vitit 2024 ka rezultuar me një situatë të rënduar epidemologjike në Kosovë, ashtu edhe sikurse në shumë vende të tjera të rajonit.

Në një prononcim ekskluziv për TV Arbëria, Prof. Dr. Sali Ahmeti, ka treguar për arsyet e shtimit të rasteve infektive me sëmundjen e gripit. Sipas infektologut të njohur Ahmeti, duke qenë se tashmë jemi në muajt më të ftohtë të vitit, rritja e rasteve si me grip sezonal, apo edhe me viruse të tjera respiratore është e pritshme.

Ndërkohë, këtu duhet shtuar edhe faktin se kjo fazë përkon edhe me kohën e pushimit të bashkatdhetarëve tonë në vendlindje për festat e fundvitit, ku edhe shtohen vizitat familjare, çfarë edhe paraqet një terren pjellor për shumëfishimin e viruseve të llojllojshëm.

Kryesisht shtimi i infeksionit e traktit të sipërm respirator është rezultat i gripit sezonal “influenca A”. Mirëpo, këtu nuk duhet harruar se në qarkullim është edhe COVID-19, që  tashmë është bërë një virus endemik sezonal.

Ndërkohë, Ahmeti ka kujtuar një fakt interesant, se gjatë pandemisë në vitet 2019-2020 etj, në Kosovë thuajse nuk ka pasur fare grip sezonal dhe kjo ka ndikuar që edhe imuniteti ndaj gripit  “influenca A” të  jetë më i ulur, çfarë e bënë atë më agresiv në këtë kohë.

Kurse kategoritë më të rrezikuara nga ky virus sipas tij, mbesin të moshuarit, ata me sëmundje respiratore dhe kronike, të zemrës, ata që kanë imunitet më të dobësuar, fëmijët e gratë shtatzëna.

Prandaj, është shumë e rëndësishme që këto shtresa të mbrohen. Dhe masat mbrojtëse ndaj gripit sezonal thuajse janë identike me ato ndaj Covid 19, për të cilën kemi bërë edhe përvojë duke shmangur ambientimet e mbyllura. Përdorimi i maskave, mbajtja e distancës etj, është jetike që të përdoren edhe në këtë rast. Ai ka ngritur alarmin se numri i të infektuarve me Covid mund të jetë më i madh se sa figuron zyrtarisht. Dhe kjo sëmundje tashmë do të jetë endemike dhe me mundësi të mutacionit gjenetik në të ardhmen.

Duke qenë se ndodhemi edhe në stinën e gripit sezonal nuk përjashtohet mundësia që një person të jetë i infektuar me të dy viruset ka përfunduar Ahmeti.

/TV Arbëria

 

 

Powered by WordPress