Shkruan: Afrim Kasolli- Ikona e bukurisë, vajza e artë e Hollywood-it, seks simbol i kohës etj etj, janë këto vetëm disa nga përshkrimet më të njohura, që i janë atribuuar ndër vite Merilyn Monroe-s, yllit të papërsëritshëm të botës kinematografike.
Rrugëtimi i saj jetësor, mbetet sa enigmatik po aq edhe impresiv. E rritur pa prindër në një jetimore, ajo me një shpejtësi meteorike ia doli që t’i pushtoi majat e skenave artistike. Kurse fama e saj të marr një aureolë jo vetëm amerikane, por edhe planetare. Ende sot e kësaj dite, karriera dhe jeta e saj mbetet një mister i çuditshëm. Dhe veçanërisht fundi i saj tragjik, kur ajo qe në kulmin e lavdisë së saj.
Zyrtarisht është thënë se ajo kaloi në amshim nga konsumimi i tepruar i drogave të llojllojshme. Sidomos atyre që e ndihmuan për t’u zhytur në një gjumë të thellë. Duke e lënë kështu pas vetës vetëm imazhin e një bukurie “hyjnore”. Pra që njerëzimi ta kujtojë dhe mbaj mend atë, vetëm çfarë ishte dhe si ishte në ditët e saj të lavdishme.
Mirëpo, që nga nata fatale e 4 Gushtit të vitit 1962, pyetjet, hamendjet, dyshimet dhe spekulimet, se ai ishte ky fund vetëvrasje apo vrasje, nuk kanë munguar kurrë. Teoritë konspirative po ashtu kanë gëluar në vazhdimësi. Madje, në vitin 1982 në Los Angeles ishte rihapur përsëri një proces gjyqësor që mëtonte të hulumtonte kushtet e vdekjes së saj. Por, edhe nga ky proces gjyqësor nuk është se ishin qartësuar shumë dilemat që lidhen me këtë ngjarje. Rasti u mbyll, duke e lënë në fuqi shpejgimin zyrtar.
Pikërisht nevoja për të davaritur disa nga dritëhijet e kësaj enigme e përbën temën e dokumentarit “The Mystery of Merilyn Monro- The Unheard Tapes” me regji të Emma Cooper, por që është i bazuar në hulumtimet e autorit irlandez, Anthony Summers, i cili është marrë kohë të gjatë me rrethanat dhe kushtet e vdekjes Merilyn Monroe-s. Madje, ky i fundit është edhe autor i librit “Goddess”, që i është kushtuar aktores në fjalë.
Ky dokumentar është i bazuar kryesisht në bisedat e njerëzve që e formonin rrethin e ngushtë të aktores dhe mënyrën se si ata nëpërmjet rrëfimeve të tyre e portretizuan atë. Sepse, në këtë mënyrë tentohet që të qartësohen disa nga misteret e kësaj jete. E këtë ndriçim, Anthony Summers, mëton ta bëjë që nga fillimi. Prandaj, ai rikthehet aty ku zuri fill karriera e saj.
Ta kërkosh kuptimin e vdekjes në parajsën e bukurisë
“Njeriu është qenie që qenëson ka vdekja”, thotë filozofi i njohur gjerman Martin Heidegger.
Kërkimi i kuptimit për fundin tonë të pashmangshëm mbetet një shtytje e përhershme eqenies njerëzore. Dikush këtë kuptim e kërkon në histori, dikush duke besuar në Absoluten, ka të tjerë që e kërkojnë në paqe me vetveten e dikush duke u zhytur në kredhje metafizike dhe shpirtërore.
Por Johny Hyde, këtë kuptim e kërkoi në një mënyrë të çuditshme. Ai ishte njëri nga njerëzit më të pasur dhe më me ndikim të kohës. Ishte diagnostifikuar me një sëmundje fatale. Dhe muajit e fundit të jetës së tij vendosi t’i kaloi në një mënyrë të veçantë. U divorcua nga gruaja e tij e deriatëhershme dhe për ato pak ditë sa i kishin mbetur në mesin e të gjallëve, u dha i tëri pas Merilyn Monroe-s. Bashkëjetoi me të. Dhe bëri gjithçka që mundi për t’ia hapur asaj dyert e suksesit. Pra kuptimin për fundin e tij ai tentoi ta gjente pranë ikonës që po lindte me ndihmën e tij.
Kështu, duke filluar nga ky moment jeta e Merilyn Monroe-s mori një kthesë të papritur. Ajo do ta përjetonte si shkëlqimin e jashtëm po ashtu edhe rënien e brendshme. Do të kalonte nga çastet e lumturisë ekstreme në depresion të thellë. Do të martohej disa herë, por të gjitha këto martesa do të përfundonin me dështim. Nga çdo divorc do të dilte më fragjile, më e pasigurt dhe më lënduar se sa ishte më parë. Do të ëndërronte të behej nënë, por pa qenë në gjendje ta përjetonte ndjenjën e bekuar të amësisë.
E pushtuar nga neurozat, pasiguria ajo shpeshherë pohonte për vetveten se nuk ishte asgjë me shumë se një bredharake pa shtëpi e katandi dhe pa rrënjë (I’m a waif). Kurse, sipas shënimeve që janë gjetur në studion e psikiatrit të saj, Dr Ralph Greenson, ajo vuante nga paranoja. Po ashtu, sipas tij, ajo kurrë nuk u kurua nga fëmijëria e privuar.
Martesa me burrin e dytë, dramaturgun, skenaristin dhe eseistin Arthur Miller, e solli edhe vëmendjen e agjencive të sigurisë amerikane, sikur se FBI dhe CIA, duke përgatitur dosje për jetën dhe veprimtarinë e çiftit bashkëshortor. Sepse, Arthur Miller, ishte me bindje komuniste. Dhe po ashtu së bashku i kishin vizituar shumë qytetarë amerikanë të zhvendosur në Meksikë që e mbronin këtë ideologji. Ndërkohë edhe përkundër divorcit dosjet për jetën e saj nuk u mbyllën kurrë.
Madje, kjo mbikëqyrje u intensifikua edhe më shumë, pasi ajo u përfshi në një aferë tjetër, atë me vëllezërit Kennedy. Fillimisht me Robert Kennedy, prokuror ky i njohur i kohës dhe presidentin John Kennedy. Dhe kjo lidhje si duket qe fatale për jetën e saj. Sidomos kur marrim parasysh, kontaktet që ajo kishte pasur me grupet e ndryshme komuniste, jashtë Amerikës. Pra një afrim i tillë kishte ndodhur në një kohë kur nuk duhej të kishte ndodhur. Kurse nga kjo aferë ajo kishte pasur mundësi që të informohej dhe të mësonte gjëra për testimet e armeve nukleare, që po kryente në atë kohe shteti amerikan, e që nuk duhet t’i dinte. Sepse, ekzistonte frika se qarkullimi i këtyre informatave e rrezikonte sigurinë nacionale. Ndonëse, disa nga përgjuesit që u vendosën në shtëpinë e saj thuhet se janë instaluar nga grupe mafioze, veprimtarinë e të cilave ishte duke e hetuar Robert Kennedy. Dhe në këtë mënyrë ata tentonin ta komprimitonin karrierën e tij.
Sidoqoftë, impakti i Luftës së Ftohtë, nuk mund të mohet në këtë ngjarje. Ato ishin vite kur në Kubë kishte triumfuar revolucioni komunist i drejtuar nga Fidel Castro. Ky i fundit i ishte drejtuar Bashkimi Sovjetik më një kërkesë për ndihmë urgjente ushtarake. Nikita Khruschev pat urdhëruar instalimin e raketave balistike bërthamore në këtë ishull. Pra armët e armikut kryesor ideologjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës tashmë po afroheshin vetëm pak kilometra larg Floridës. Ky skenar ishte gati thuajse apokaliptik për sigurinë e SHBA-së.
Në këtë kontekst, kur thuajse Lufta e Tretë Botërore ishte në prag, vllezërit Kennedy tentuan me çdo kusht të distancohen nga loja e zjarrtë që vetë e kishin përndezur, për shkak të përshkrimit që agjencitë amerikane i kishin bërë Merilyn Monroe-s, si person me bindje majtiste, por edhe informatave se ajo kishte kontakte me grupe komuniste.
E urdhrin që ajo të largohej nga njerëzit më të fuqishëm të kohës, që besohet se ia kishte kumtuar Robert Kennedy, la vragë të thella në të. Dhe u bë shkaktar i një depresioni të madh. Sa që për ta mbytur këtë depresion, Merilyn Monroe shpëtimin e kërkoi në anti-depresant. E ku nga konsumimi i pakontrolluar i tyre, u shua jeta e saj. Ndonëse pandehamat se ajo mund te jetë eliminuar nuk janë ndalur kurrë.
Megjithatë, afera me vëllezërit Kennedy shënoi edhe fundin fatal të saj. E tilla qe jeta e kësaj ikone në epiqendër të së cilës u mpleksën paraja, pushteti, seksi, politika, fama dhe shpërdorimi. Ajo u ngrit nga burra të pushtetshëm, por edhe rënia përfundimtare i erdhi po nga ta.
/TV Arbëria