Liberalizimi i vizave, ka sjellë një frymë të re për qytetarët e Kosovës, të cilët tani mund të udhëtojnë pa viza drejt vendeve anëtare të BE-së për qëllime turistike, biznesi ose vizita familjare.
Një vendim i tillë, ka kontribuar drejtpërsëdrejti edhe në rritjen e numrit të udhëtarëve që përdorin Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Që nga 1 janari kur edhe ka filluar zbatimi i vendimit për liberalizimin e vizave e deri më sot, në Aeroportin e Prishtinës janë realizuar 620 fluturime.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara.
“Në total janë 620 fluturime duke përfshirë 309 në ardhje dhe 311 nisje”, ka thënë Gara.
Vlen të theksohet se në rritjen e numrit të fluturimeve ndikim ka pasur edhe një numër i madh i bashkatdhetarëve të cilët kanë ardhur në Kosovë për festat e fundvitit.
– Pasaportë biometrike (e vlefshme për të paktën tre muaj pas datës së largimit nga zona Shengen);
– Dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit në zonën Shengen;
– Dëshmi mbi qëndrimin si rezervimi i hotelit apo detajet e vendit ku do të qëndroni;
– Detajet e udhëtimit, duke përfshirë rezervimin e biletës kthyese;
– Nëse udhëtohet me veturë, dokumentet e nevojshme të veturës;
– Dëshmi se keni mjete të mjaftueshme financiare. /Telegrafi/