Ndonëse jeta kishte filluar të rikthejë gjallërinë në peisazhin e bukur të fshatit Skoçan të Vushtrrisë, ajo pak gjallëri u shua shumë shpejt në mungesë të përfilljes së organeve komunale për të mbajtur një premtim që e kanë kaluar të gjithë kryetarët e pasluftës.
Janë vetëm 6 kilometra rrugë për të cilat banorët e Skoçanit të Vushtrrisë përgjatë 12 viteve të fundit apelojnë në vazhdimësi tek të gjitha instancat komunale për rregullim të rrugës, por që asnjëri nga ta nuk ka lëvizur në drejtim të rregullimit të saj.
Kjo ka dekurajuar fermerë, e banorë të këtij fshati që të tërhiqen nga çdo investim që mund të kishin bërë më parë, me shpresën se rruga do të rregullohet.
Banorë të fshatit para dy vitesh i është drejtuar edhe një peticion për rregullim të rrugës kryetarit aktual Idrizi, por që ka mbetur i pa realizuar ai vullnet pozitiv dhe iniciativë e këtyre banorëve.
Janë tre kryetarë të Vushtrrisë që kishin premtuar se do të bënin diçka për këtë rrugë nga Bajram Mulaku, Xhafer Tahiri e deri te Ferit Idrizi. Por as ky i fundit nuk e ka përfshirë këtë projekt në mesin e projekteve buxhetore që duhet realizuar për vitin 2024, ndonëse 2 vite më parë ishte parashikuar që nga bartjet buxhetore të realizohej si projekt.
Është syri i kamerës së platformës VushtrriaGuide që ka risjellur në kujtesë ndoshta edhe të organeve komunale për gjendjen e kësaj rruge, e cila jo-rastësisht është emërtuar si “Udha e Tmerrit”.