Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Hetimi i krimeve të luftës, 15 aktakuza gjatë vitit 2023

Hetimi i krimeve të luftës, 15 aktakuza gjatë vitit 2023

15 aktakuza për krime lufte janë ngritur gjatë vitit 2023 nga Prokuroria Speciale. Tetë prej tyre të gjykimit në mungesë, kjo edhe po konsiderohet risi e vitit 2023, i cili lejon atë pa praninë e të pandehurit.

Gjykimi në këtë formë ndodhë për herë të parë në Kosovë dhe mund të procedohet vetëm pasi të dërgohen pesë ftesa në shtetin përkatës e të jenë shpallur në kërkim për hetim në procedurë penale për së paku gjashtë muaj në gazetën zyrtare.

Megjithatë, monitorues të këtij procesi deklarojnë se nuk është bërë mjaftueshëm në dënimin e kryerësve të krimeve të luftës. Të njëjtit kërkojnë nga institucionet që të shtohen resurset brenda departamentit që heton krimet e luftës.

 

Në fund të vitit të kaluar, Gjykata Supreme përfundimisht vërtetoi dënimin ndaj Zoran Vukotiq, i dënuar me 13 vjet burg për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky është rasti i parë dhe i vetëm i dënimit për këtë lloj krimi nga gjykatat vendore.

Në vitin 2023 është shtyrë afati për aplikim të viktimave të dhunës seksuale pranë Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të Viktimës së Dhunës Seksuale. Megjithatë, Rushiti konsideron se afatizimi është i padrejtë.

 

Përveç kësaj, ajo thekson se edhe praktikat në rajon dëshmojnë qartë se afati nuk duhet limituar. Rushiti tregon se janë edhe gjashtë raste të tjera, të cilat janë në procese gjyqësore, ku është ngritur aktakuza për dhunim seksual.

Dënime tjera jo, por Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare konsideron se ka pasur hetim më intensiv të krimeve të luftës.

Teksa flet për numrin e prokurorëve që merren me krimet e luftës, Alija thotë se nuk është bërë mjaftueshëm për hetimin e krimeve të luftës.

 

Mos-veprimi i akterëve të ndryshëm të cilët kanë pasur për mandat ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të krimeve të luftës ka krijuar amnisti. Kështu thotë Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili shton se më shumë ka pasur hetim të shqiptarëve se serbëve.

 

Sipas tij, Prokuroria Speciale duhet të përkrahet me resurse të mjaftueshme për hetimin e këtyre krimeve.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu zotohet se hetimi i krimeve të luftës është prioritet për qeverinë.

Haxhiu thekson se Kosova për herë të parë me ligj ka Institutin për Hetimin e Krimeve të Luftës, ku shton se janë në fazën fillestare të hartimit të akteve nënligjore. Ministrja e Drejtësisë thotë se shpejt pritet finalizimi i strategjisë tranzicionale që do të merret me viktimat e luftës.

Nga Prokuroria Speciale deri më tani janë ngritur 33 aktakuza me rreth 90 të pandehur. Në Tribunalin e Hagës janë dënuar gjashtë eprorë serbë, të cilët kanë pasur hierarki të larta komanduese gjatë kohës së luftës, në pesë prej tyre ka pasur edhe vepra penale të dhunimit seksual. /Sh.Pajaziti

Powered by WordPress