Një rast i fundit i një vetëvrasjeje, e cila mbart brenda një mori dinamikash, përfshi atë të bullizmit në media sociale, ka ringjallur në Shqipëri një debat, që vë në peshore alternativën e një jete pa to…ose të paktën kërkesën.
Një 41-vjeçare, të cilës i kishin shpërndarë në median sociale Tik Tok disa fotografi, në të cilat ricikloheshin komente të pahijshme, i dha fund jetës, duke u helmuar dhe duke lënë pas katër fëmijë, tashmë të vetëm.
Moria e postimeve nuk mungoi, ku “irritimi” i qytetarëve shqiptarë me mediat sociale arriti sërish majat dhe ku u kërkua përmes peticioneve online edhe ndalimi i tyre në vend.
Një skenar, i cili duket një fotokopje e kërkesës për rikthimin me vdekje, në rastet kur ka vrasje makabre në vend, por këtë herë me ndalim e jo më vënie në fuqi.
Kjo, pavarësisht faktit se elementë të tjerë dhe një mister më i madh e rrethojnë këtë ndodhi, si për shembull denoncimi i shpërfillur nga autoritetet, që gruaja kishte bërë më parë, hermetizimi i një shoqërie që e kishte braktisur praktikisht atë, apo edhe dhuna psikologjike sistematike, që bashkëshorti (tashmë i arrestuar) i saj, kishte ushtruar në kohë.
Veçse, sikur kjo kërkesë, të mos kishte ardhur nga të njëjtët persona, të cilët qëndrojnë në Tik Tok dhe media të tjera sociale, aq kohë sa mund të quhej një punë me kohë të plotë!
Është një fakt se koha e shqiptarëve është e mbushur me banalitetet e gjërave “në linjë”, e shkarkimit të tyre emocional në postime (kryesisht Tik Tok prej boom-it të tij) dhe e sharjeve të pafundme që burojnë nga këto persona pa identitet real në rrjet.
Kështu, pyetja reale lind: Është konkretisht Tik Tok-u shkaktari i një tragjedie të tillë që la pas 4 fëmijë jetimë, apo ata të cilët e përbëjnë atë?
Rasti fare mirë mund edhe të mos kishte ndodhur dhe të mos flitej fare për këtë rrethanë të re të krijuar.
Lidhur me rastin, për shembull, psikologia Jonida Haxhiu ka komentuar se përtej rëndesës së gjithë rrethanave, nuk është mbyllja e Tik Tok-ut zgjidhja, pasi platformat ku mund të ekspozohen njerëzit janë të pafundme.
“Platforma të tilla janë të rrezikshme, pasi jemi të ekspozuar dhe pak dimë se si të mbrohemi. Ky është problemi fillestar, por ka shumë të tjerë. Është mentaliteti, ku kjo grua nuk gjeti mbështetjen për këtë situatë. Cilido ka qenë konflikti ka mënyra për t’i zgjidhur”, reflekton psikologia.
Ajo ka treguar konkretisht edhe raste të njerëzve, të cilët kanë përjetuar situata të ngjashme stresuese, pasi janë përballur me publikimin e pamjeve të tyre të papërshtatshme në rrjet.
Kështu, kujdesin kryesor ajo, e sjell te vetja, te individi, te edukimi që duhet t’i përçohet fëmijëve.
Është po aq e vërteta se rregulla të shtuara, kërkojnë pikërisht ata persona, të cilët ndoshta janë të parët që thyejnë rregullat bazë morale dhe etike në media sociale.
Ndaj, sërish, a është përgjegjësia dhe përgjigja, te Tik Tok-u?
Apo një komb, duhet të drejtojë gishtin nga vetja dhe të kuptojë se platformat mbeten në shërbimin e njerëzve.
Se si përdoren dhe çfarë shkaktojnë, e reflektojnë me shëmbëlltyrën e atij/asaj që i fikson përmes ekranit.
Fundja, sa shumë më e thjeshtë do të ishte nëse fajin vërtetë do ta kishte Tik Tok-u!
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com