Viti 2024 po konsiderohet si njëri nga vitet me të rëndësishme zgjedhore në nivel global. Vlerësohet se rreth 4.2 miliardë njerëz në mbarë botën do t’u drejtohen kutive të votimit, në 80 palë zgjedhje në vende të ndryshme. Për nga rëndësia dhe madhësia thuhet se vetëm viti 2048 mund të jetë i tillë.
Mirëpo shtrohet pyetja se a do përfshihet edhe Kosova në këtë valë globale elektorale? Paralajmërimet si nga pushteti ashtu edhe nga opozita nuk përjashtojnë një skenar të tillë, edhe pse sipas kalanderit zgjedhor ato duhet të mbahen në fillim të vitit 2025.
Po ashtu, duke marrë parasysh vështirësitë në cilat është kurthuar pushteti në raport me dialogun, sidomos lidhur themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është e mundur që shumica parlamentare ta kërkojë shpëtimin përkohësisht nga këto presione me anë të zgjedhjeve të parakohshme.
Ndër të parët që e përmendi këtë mundësi ishte kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Harendinaj. Lideri i partisë së katërt politike në vend pohoi, “se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë mund të mbahen në pranverë. Madje, ai tha se të gjitha partitë politike janë bërë gati për zgjedhje dhe se vendi është tashmë në fushatë”. Për zotin Haredinaj “kjo që po ndodh është aromë zgjedhje… Të gjithë po bëhen gati për zgjedhje, jemi në fushatë, dihet që kemi hyrë në fushatë, por është e dhimbshme nëse partitë shpenzojnë dhjetëra-mijëra euro me “iu marrë mend” njerëzve, t’iu thuhet se ky është fituesi, ai është fituesi”.
Pro zgjedhjeve të parakohshme është shprehur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjuca. Në një intervistë për emisionin Rubkon, ai kishte thënë se në “gjykimin e tim do të ishte mirë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, pra që të mos pritet përfundimi i plotë i mandatit të qeverisë së partisë ku ai bënë pjesë”.
Këtë dëshirë të kryeparlamentarit, duket sikur e konfirmoi edhe Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari.
Në RTK Prime ajo pohoi “se në mars në mars hyjmë në vitin e katër qeverisës. Sipas kalendarit zgjedhor ka mundësi që deri në fund të vitit të organizojmë zgjedhje të rregullta të cilat do të jenë në përputhje me kalendarin zgjedhor, i cili në të kundërtën do të ishte në shkurt të vitit 2025. Por, para dhe pas në periudhën 60 ditore ka mundësi të diskutimit ndërmjet subjekteve politike me presidenten e vendit për të gjetur një datë të përbashkët. Prandaj, nuk do të ishte risi nëse Kosova do të ballafaqohet me proces zgjedhur këtë vit. Pra nuk do të ishte krejtësisht e jashtëzakonshme”.
Ndonëse sipas znj. Kusari partia në pushtet ende nuk është duke menduar një skenarin e zgjedhjeve. Se zgjedhjet mund të bëhen të pashmangshme një gjë të tillë po e parashohin edhe analistët politikë. Sipas tyre njëra nga pikat që mund ta dërgojë vendin në zgjedhje parlamentare mund të jetë tema e Asociacionit.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’, Visar Ymeri ka thënë për Front Online se zgjedhjet mund të jenë mjeti përmes të cilit kryeministri Kurti dhe Vetëvendosje synojnë ta ndajnë përgjegjësinë për zbatimin e marrëveshjes. “Nëse do të shkojmë në zgjedhje ose jo për shkak të dialogut do të varet shumë prej dinamikës së dialogut. Nëse gjasat janë të mëdha që marrëveshja të zbatohet shpejtë (pra në gjysmën e parë të vitit) atëherë nuk mendoj se Kosova do të ketë mundësi të shkuarjes në zgjedhje sepse kjo do t’i shtynte afatet e zbatimit”, është shprehur ai.
Mirëpo sipas z.Ymerit, zvarritja e dialogut do të prodhonte paqartësi shtesë për Kosovën. “Gjatë këtij viti për shkak të luftës në Ukrainë, luftës në Lindjen e Mesme, si dhe për shkak të zgjedhjeve në BE dhe në ShBA në vjeshtë jemi duke hyrë në një situatë politike globale shumë më të pa parashikueshme. Dhe në këtë drejtim zvarritja e procesit të dialogut mund të prodhojë paqartësi shtesë për Kosovën”, ka përfunduar Ymeri.
Përfundimisht, ditët në vazhdim do ta përcaktojnë se a do të kaplohen nga ethet elektoralë edhe qytetarët e Kosovës, sikur se mbi 52% e popullsisë së planetit që do t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre në këtë vit.
/TV Arbëria