Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka njoftuar se është duke përcjellë me shqetësim ankesat e shumta të qytetarëve ndaj disa operatorëve kabllorë në Kosovë, shërbimet e të cilave janë të rregulluara me kontratë mes palëve.
“MINT po përcjell me shqetësim ankesat e qytetarëve ndaj disa operatorëve ekonomik, siguron se brenda afateve ligjore do të ndërmerren veprime sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në njoftim.
MINT-i ka bërë të ditur se Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të këtij dikasteri, vetëm gjatë ditëve të fundit ka pranuar mbi 100 ankesa të natyrës së njëjtë, të cilat i ka proceduar me prioritet për trajtim të mëtejmë nga institucionet gjegjëse.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, siguron qytetarët se brenda afateve ligjore, përmes institucioneve përgjegjëse, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjeve përkatëse në fuqi”, thuhet në komunikatën për media.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, gjegjësisht Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, kanë thënë se mbeten maksimalisht të përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e konsumatorit, “për çka iu bëjnë thirrje qytetarëve që ankesat t’i paraqesin duke telefonuar në numrin pa pagesë 0800 11000 apo përmes email adresës: [email protected]”.
Ky reagim i MINT vjen pasi kanalet kombëtare Top Channel, TV Klan, dhe kanalet shqip të “Digitalb” e “SuperSport”, nga 1 janari pa asnjë paralajmërim për abonentët janë larguar nga operatori “Kujtesa”, kompania e cila deri atë ditë ka bartur të drejtat e transmetimit të tyre në Kosovë.
Ky veprim i kabllorit kosovar ka ndikuar edhe tek operatorët tjerë. Derisa klientëve të kabllorëve në Kosovë çdo ditë e më shumë kanalet në gjuhën shqipe po u zëvendësohen me kanale në gjuhën serbe.
Largimi pa asnjë paralajmërim i kanaleve televizive nga ana e operatorëve kabllor del të jetë në kundërshtim me rregulloret në fuqi të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).