Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Alarmi – Shërbimet sekrete serbe ‘planifikojnë’ sulme terroriste ndaj serbëve në Kosovë

Alarmi – Shërbimet sekrete serbe ‘planifikojnë’ sulme terroriste ndaj serbëve në Kosovë

Institucionet e sigurisë së Serbisë, të udhëhequra nga shërbimi sekret serb, kanë shtuar agresivitetin e tyre ndaj opozitës në Serbi si dhe Kosovës.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se burime ndërkombëtare të sigurisë, kanë ngritur alarmin për një inskenim të rëndë të planifikuar nga shërbimet sekrete serbe, për të vrarë ndonjë çift të moshuar në vendbanimet me shumicë serbe apo realizuar ndonjë sulm terrorist ndaj fëmijëve serbë, me qëllim të largimit të vëmendjes nga zhvillimet në Serbi, si dhe fajësimin e Kosovës.

“Lidhur me këto indikacione, janë informuar edhe strukturat e sigurisë në Kosovë”, ka thënë i njëjti burim.

Qëllimi kryesor i këtyre inskenimeve të shërbimeve sekrete serbe, është adresimi i kërkesave të Aleksandar Vuçiq, për të tërhequr vëmendjen nga vjedhja e votave në zgjedhje, protestat, kërkesat për hetim ndërkombëtar, si dhe presionin ndërkombëtar në rritje në lidhje me veprimet destabilizuese të Serbisë në rajon, të cilat kulmuan me sulmin terrorist në veri të Kosovës, më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Më qëllim të përhapjes së frikës ndaj opozitës dhe të gjithë atyre që mendojnë ndryshe, shërbimi sekret serb, më 4 janar të këtij viti arrestoi dhe rrahu brutalisht politikanin serb Nikola Sanduloviq.

Media të caktuara serbe, filluan që të raportojnë për kinse frikën e serbëve lokalë në Kosovë, në prag të festimit të Krishtlindjes ortodokse serbe, nga “sulmet e mundshme”, duke aluduar te shqiptarët.

Institucionet e Kosovës, në shenjë të vullnetit të mirë, kanë lejuar vizitën e Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe (KOS), me qëllim të festimit të Krishtlindjes ortodokse. Shqiptarët në Kosovë historikisht kanë treguar tolerancë të gjerë ndërfetare, duke festuar së bashku festat fetare dhe uruar komunitetet tjera.

Në anën tjetër, qarqet serbe, në vazhdimësi i kanë parë fesat fetare, si një mundësi për të inskenuar raste të ndryshme, me qëllim të provokimit të situatës së sigurisë dhe propagandimit kundër Kosovës.

 

Powered by WordPress