Redaksia e mediumit të njohur amerikane, Washington Post nëpërmjet një opinioni të gjatë sot i ka kushtuar një shkrim të veçantë politikave të administratës së presidentit Biden për Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë në raport me Serbinë.
Kjo gazetë prestigjioze amerikane shkruan se me të marrë detyrën presidenti Biden në vitin 2021 e kishte identifikuar Ballkanin Perëndimor si një zonë shumë fragjile dhe të paqëndrueshme.
Zyrtarët e kësaj administrate konstatuan se Serbia si njëri nga vendet më të mëdha në këtë zonë të veçantë të Evropës vazhdonte të qëndronte në mënyrë kokëforte në kuadër të orbitës ruse. Në këtë mënyrë, ishte e qartë se Moska do ta mbështetëse klientin e tij në Ballkanin Perëndimor. Dhe ky shqetësim u bë më i mprehtë pas pushtimit të Ukrainës nga ana e shtetit të Rusisë.
Me këtë rast, qasja politike e zotit Biden, ishte përqafimi i kryetarit autoritar të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me shpresën për ta detyruar atë që ta ndërronte kursin e tij politik, për ta larguar nga Rusia. Mirëpo sot, pas gati më shumë se tri viteve kjo politikë ka dështuar.
Për më shumë se dy javë, anëtarët e opozitës serbe janë duke protestuar, për atë, që edhe organizatat e pavarura të shoqërisë civile kanë konstatuar, se zgjedhjet e parakohshme të mbajtura në këtë shtet me 17 dhjetor, ishin të manipuluara dhe të shoqëruara me parregullsi të shumta.
Ndërkohë, forcat policore përdoren dhunë për të shpërndarë protestuesit që po përpiqeshin të depërtonin në ndërtesën e Këshillit të qytetit të Beogradit. Kurse, si zoti Z. Vuçiç, ashtu dhe kryeministrja Ana Brnabiq, pretenduan se protestat ishin një skenar i organizuar kundër pushtetit të tyre – dhe fajësuan në mënyrë implicite Perëndimin për këtë komplot.
Gjatë adresimit para kombit Aleksandër Vuçiq, përdori një retorikë konspirative. Madje ai pohoi se shërbimet e inteligjencës serbe e dinin paraprakisht se opozita serbe ishte duke planifikuar një kryengritje. Për më shumë sipas tij në mënyrë të errët, fuqitë e huaja, nëse jo drejtpërdrejtë fajtore, të paktën i neglizhuan privatisht paralajmërimet e tij për trazira dhe kështu po festonin destablizmin e Serbisë.
Por sipas tij ishin “shërbimet e huaja” që jo vetëm e kishin dëgjuar, por dhe i kanë ofruar mbështetje shtesë, duke i ndihmuar kështu institucionet e Serbisë të përballonin më të keqën.
E këtë panoramë konspirative të pushtetit në Serbi, sipas kësaj gazete, mbase e “qartësuan pa dashje” vërejtjet e znj.Brnabic. Ajo i bëri publike të gjitha gjestet “sekrete” të shefit të saj. Kryeministrja i shprehu falënderime të veçanta shërbimit rus të sigurisë për ofrimin e informatave që tregonin se opozita “po përgatitej të organizonte protesta në Beograd, sipas skenarit që ishin bërë në sheshin Meidan, me qëllim që ta uzurponin pushtetin me metoda revolucionare.
Kurse, pa kaluar 24 orë nga adresimi i presidentit Vuçiq, ambasadori i Rusisë në Serbi, deklaroi për televizionin shtetëror rus, se i pari i kishte thënë të dërguarit të Moskës së kishte informacione të pamohueshme se prapa protestave në Serbi qëndronte Perëndimi.
Presidenti Vuçiq, sipas WP, megjithatë mbetet njëri nga politikanët me të shkathët në Ballkan. Ai i ka shfrytëzuar në mënyrë perfekte lidhjet me Rusinë për pozicionin e tij. Po ashtu, shumë serbë kanë lidhje solidare me popullin rus, edhe për shkak të afërsisë religjioze. Ata e shohin Moskën si një patron të madh, sidomos që nga koha e bombardimeve të NATOS ne vitin 1999.
Kështu, duke i shfrytëzuar këto sentimente publike, zoti Vuqiç, ia ka dalur që të fitojë mbështetjen e shumicës nacionaliste dhe t’i denigroi kundërshtarët e tij si agjentë të interesave të huaja.
Sidoqoftë, sipas burimeve të kësaj gazete, lideri serb, privatisht i ka siguruar bashkëpunëtorët e tij perëndimor se është duke bërë të pamundurën për ta integruar kombin e tij të pabindur në kuadër të Bashkimit Evropian dhe ta shndërrojë atë në një partner të besueshëm.
Kështu, administrata Biden i bazoi politikat e tij pajtuese duke u bazuar në këto mesazhe private. Madje, edhe pse disa kriza të rrezikshme duke përfshirë edhe atë në vitin e kaluar në veri të Kosovës, dëshmonin gjurmët e gishtërinjve të politikës serbe. E SHBA-të, u përcaktuan për shmangur fajësimin vetëm të njërës palë, dhe duke preferuar thirrjet vetëm për qetësi.
Fatkeqësisht, i forti i Serbisë ka vazhduar politikën e tij balancimit. Ai ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, ndonëse e ka qetësuar Perëndimin duke lejuar që armët nga Serbia të depërtonin në Ukraine nëpërmjet tregtarëve ndërmjetës.
Por, përkundër kësaj loje, lirisht mund të thuhet se zoti Vuqiç në këtë kohë e ka afruar edhe më shumë Serbinë me Rusinë. Në vitin 2021, ministri i Punëve të Brendshme të këtij shteti kishte udhëtuar drejt Moskës, për t’i ndarë përgjimet e shërbimit sekret serb për takimet që opozita ruse i kishte mbajtur në Beograd.
Kurse në vitin 2022, deri sa lufta me Ukrainën ndodhej në kulmin e saj, Serbia dhe Rusia nënshkruan një marrëveshje për ta koordinuar politikën e jashtme.
Edhe përkundër këtyre zhvillimeve ka të ngjarë që prapa dyerve të mbyllura zoti Vuqiç të vazhdojë t’i qetësojë liderët perëndimor, se ai është në anën e tyre, dhe se gjithçka që shohin është vetëm një spektakël.
Por duke marrë parasysh, se sa pak efektive janë treguar politikat e deri tanishme të pajtimit, atëherë konstaton Washington Post, administrata Biden duhet ta pyes veten, se a ka ardhur koha që të mendojë diçka të re?
/TV Arbëria