Shkruan: Afrim Kasolli – Në mars të këtij viti do të mbahen zgjedhjet presidenciale në Rusi. Duke qenë se ky shtet, siç ka pohuar edhe historiani i njohur Timothy Snyder, tashmë i ngjason një regjimi tipik tiranik, është e pritshme që këtë farsë zgjedhore ta fitojë presidenti aktual i Federatës Ruse, Vladimir Putin.
Mirëpo, shtrohet pyetja se cilat do të jenë pasojat planetare të rizgjedhjes së sundimtarit me jetëgjatë politik në historinë e këtij shteti, me “përjashtim të Katerinës së Madhe”.
Analistë, rusologë dhe njohës të ndryshëm të proceseve ndërkombëtare, kanë pohuar se nuk mund të pritet ndonjë një ndryshim sa i përket vazhdimit të luftës në Ukrainë. Për më tepër, vetë “Cari i Rusisë” me paraqitjen e tij publike në fund të vitit 2023, ka pohuar se paqja në këtë vend nuk mund të vendoset pa u realizuar qëllimet e luftës, sikur se “denazifikimi, çmilitarizimi dhe neutraliteti i saj”.
Po ashtu, do të vazhdojnë përpjekjet e Kremlinit që së bashku me Pekinin, për ta rivalizuar rendin ndërkombëtar aktual të drejtuar nga SHBA-të, si dhe për të tentuar për të ndërtuar një tjetër alternativ, në epiqendër të të cilit do të ndodhen këto shtete autokratike.
Në këtë kontekst, Vladimir Putin deklaroi se “armiku i vërtetë i vendit të tij është Perëndimi dhe jo Ukraina vetvetiu”.
Sipas tij, elitat perëndimore e ushqyen Ukrainën për një kohë të gjatë me qëllim që të krijonin konfliktin që po shihet sot, sepse për këto elita “ekzistenca e Rusisë, të paktën në cilësinë e saj aktuale, në madhësinë e saj aktuale, siç mendojnë ata, është e papranueshme”.
Pohime të tilla, tregojnë qartë se një nga objektivat e tij gjeopolitike do të jetë dobësimi i botës perëndimore. Dhe këtë skenar ai tenton ta jetësojë si duke orkestruar konflikte rajonale në zona nevralgjike të krizës, sikur se është rasti i tensioneve ndërmjet Kosovës me Serbinë, apo edhe duke i “pushtuar” nga brenda demokracitë liberale, nëpërmjet suportimit ideologjik të së djathtës ekstreme në kuadër të këtij sistemi politik, me qëllim që të shtohet simpatia dhe admirimi publik për karizmën e tij.
Natyrisht, kjo strategji nuk është e re për drejtuesin e Kremlinit. Madje, nuk është se nuk ka pasur sukses në shtrirjen e ndikimit ideologjik në kuadër të kësaj rryme politike. Shumë ithtarë të konservatorizmit ekstrem perëndimor kanë filluar ta shohin atë si të vetmin shpëtim dhe terapi për “anomalitë” që i ka prodhuar sipas tyre liberalizmi politik. Po ashtu shumë liderë perëndimorë kanë shprehur admirim për sundimin e tij.
Kështu, Putini nuk ka reshtur se sulmuari shumë shtete euro-atlantike, se tashmë ato i kanë braktisur vlerat tradicionale të tyre, duke përfshirë edhe vlerat kristiane të cilat qëndrojnë në themel të civilizimit perëndimor”. E, të mos flasim këtu për kritikat e tij ndaj politikave liberale të familjes etj.
Prandaj, sipas Mikhail Zygar, në shkrimin “Putin is Trying të Unite the Far Right and Uundermine dhe West”, të botuar në Foreign Affairs, pikërisht, në këtë mënyrë, lideri rus, po shpreson se do të mund ta zëvendësoj rendin liberal aktual me një sistem konservator global me Kremlinin si boshti hegjemonik i tij.
Por vazhdon, ky autor me origjinë nga Rusia, përdorimi politik i këtyre vlerave bëhet vetëm për synime të jashtme gjeopolitike, sepse nuk është e vërtetë se as Putini dhe as rrethi i tij janë aq konservator sa propagandojnë këtë ideologji. Bie fjala, vet Putini është divorcuar nga gruaja e tij në vitin 2014. Ndonëse, ai nuk është rimartuar, megjithatë ekzistojnë dyshime për aferat e tij me Alina Kabaeva, ish kampionen e njohur të garave olimpike. Po ashtu, edhe të gjithë anëtarët e klanit të ngushtë të tij thuajse janë të divorcvuar, madje edhe nga dy herë.
Ndërkohë, as shoqëria ruse nuk është se është mbështetëse absolute kësaj ideologji. Kështu, sipas qendrës për hulumtimin e opinionin publik Levada, vetëm një përqind e qytetarëve të Rusisë i praktikojnë rregullisht ritet fetare dhe janë ndjekës konstant të Kishës. Më shumë se 65 përqind e tyre kanë deklaruar se religjioni nuk luan ndonjë rolë specifik në jetën e tyre. Një përqindje e tillë e mbështet të drejtën e abortit.
Kurse njerëzit trans-gjinor e përbëjnë një “segment” tejet minor të popullsisë, që para sulmeve politike nga Putini për identitetin e tyre gjinor, kjo çështje nuk gëzonte ndonjë vëmendje të madhe të publikut.
Në këtë kontekst, shihet qartë se më shumë se sa në mjet për të konservuar vlerat tradicionale në shoqërinë ruse, lideri i Kremlinit e ka përdorur këtë ideologji si mjet të politikës së jashtme. Dhe në këtë drejtim ai është duke i imituar në mënyrë perfekte veprimet e ish-liderëve të botës sovjetike.
Edhe ata e patën shndërruar internacionalen komuniste në mjet të interesave shtetërore strategjike ruse dhe nuk u angazhuan që brenda vendit t’i zbatonin parimet filozofike të atij modeli, përkundër përkushtimit për ta eksportuar revolucionin botëror. Ngjashëm edhe Putini, sot pretendon që me anë të “internacionales ekstreme të së djathtës” t’i realizojë qëllimet shtetërore ruse në planin ndërkombëtar, duke e proklamuar si shpëtim për shoqëritë perëndimore, pikërisht atë model që ai dhe entourazhi i tij financiar dhe politik e shkelin dhe dhunojnë me të gjitha mënyrat brenda vendit.
Një strategji kjo, që nëpërmjet “së djathtës ndërkombëtare” të destabilizohen shoqëritë demokratike, dhe të pakën nëse për asgjë tjetër të shtohet presioni i publikut evropian për suspendim të sanksioneve ndaj tij si dhe të ndalet mbështetja ushtarake dhe financiare për Ukrainën. Pra që atë që nuk ia doli ta realizojë ushtarakisht të ketë sukses për ta jetësuar ideologjikisht.
/TV Arbëria