Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi, në një intervistë për TV Arbëria ka folur në lidhje me vendimin e rifillimit të punimeve për rrugën A.
Ai tregoi se cila janë pritshmëritë për kryerjet e punimeve të kësaj rrugë.
“Ne kemi diskutu që në momentin që pezullohet vendimi i shkallës së parë, në momentin që kemi pak kohë të lirë ne me fillu punimet dhe mos me u ndal mo, deri në qershor-korrik besoj që kryhet krejt komplet. Ne e kemi pasë në qershor, mund të shtyhet maksimumi edhe dy muaj. Në fundin e gushtit përmbyllet segmenti i parë”, deklaroi Xhaferi për TV Arbëria.
Ai tha se rruga “Jim Xhema” është rruga më e rëndësishme gjatë 20 vjetëve të fundit, e cila pritet ta zgjidhë probemin e komunikacionit.
“Rruga A është rruga kryesore e zhvillimit të Prishtinës së re. I hap front zhvillimit të qytetit, në të njëjtë kohë zgjidh problemin e komunikacionit. I ka dy role të rëndësishme dhe është rruga me interesin më të madh të publikut. Sot është lajmi më i mirë i vitit 2024, sepse nuk është lajm i mirë vetëm për Komunën e Prishtinës. por si lajm do të ketë jehonë jashtëzakonisht të madhe. Ëstë një ndër rrugët më të rëndësishme të Prishtinës në 20 vitet e fundit. Në gusht do ta shohin qytetarët se çfarë rruge do ta përjetojnë”, u shpreh Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës.
Kujtojmë se Gjykata Komerciale i ka hapur rrugë punimeve në Rrugën A, rreth tre muaj pas pezullimit të tyre.
Intervistën e plotë mund ta ndiqni këtu:
/TV Arbëria