Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është i bindur se viti 2024 do të jetë vit zgjedhor në Kosovë. Kreu i PDK-së ka thënë se fatkeqësisht 2023-ta është edhe një vit tjetër i humbur për Kosovën, pasi nuk ka përparim në asnjë nga sektorët, për shkak të gabimeve edhe paaftësisë së Qeverisë Kurti.
Sipas tij, Kosova ka një politikë të jashtme në “vdekje klinike”, ka stagnim në ekonomi, shëndetësia është në kolaps, sikurse ka degradim edhe në arsim e fusha të tjera. Krasniqi theksoi se rritja ekonomike që parashihet të jetë rreth 3.5 për qind për vitin 2023, është jashtëzakonisht e vogël për një vend si Kosova me kaq shumë sfida, sidomos post-pandemike.
“Është me e vogël sesa rritja mesatare ekonomike në kohën e viteve të para të pasluftës, kur ka qenë rreth 5 për qind, e ka qenë edhe në kohën e krizës më të madhe globale financiare (2008)”, deklaron lideri opozitar.
“Mbi të gjitha nën Qeverinë Kurti, për herë të parë ka ndodhur diçka që ka qenë e paparamendueshme: Kosova ka marrë sanksione nga Bashkimi Evropian, masa ndëshkuese konkrete, pezullim të rreth 300 milionë eurove të dedikuar për Kosovën dhe qytetarët e saj, pikërisht për shkak të qeverisë dhe për shkak të kryeneçësisë, gabimeve edhe mashtrimeve të kryeministrit”, thekson Krasniqi në një intervistë për Ekonomia Online.
Nga ana tjetër, ai shton, se propaganda qeveritare vazhdon që të jetë shumë aktive. “Absurditetet e tij (Kurtit) janë të jashtëzakonshme. Para disa ditësh në dhjetor dolën dhe thanë që ekonomia e Kosovës është e treta në Evropë. As fëmijët nuk mund ta besojnë një gjë të tillë”.
Një ndër arsyet kryesore të vendosje së sanksioneve, sipas Krasniqit, ka qenë “pabesia” e kryeministrit. “Janë marrë vesh për diçka e ai nuk e ka mbajtur fjalën”.
Kryetari i PDK-së thotë se qytetarët e Kosovës, por as partnerët ndërkombëtarë, nuk e kanë të qartë a e ka pranuar Albin Kurti Draftin e Statusit të Asociacionit, a do ta aprovojë në Qeveri dhe a do të dërgojë për opinion në Gjykatën Kushtetuese.
“Ne e kemi humbur respektin e partnerëve të rëndësishëm të Kosovës, pikërisht për shkak të këtyre arsyeve. Sepse njerëzit dëshirojnë që të kenë një parashikueshmëri në raporte, dhe me Kurtin nuk e kanë një gjë të tillë”.
Por, Krasniqi mendon se më nuk ka hapësirë për taktizime. “Nuk do të ketë rrugëdalje, përveç të marrë veprime dhe vendime, në javët e ardhshme. Nuk e pret bota Albin Kurtin me bë hajgare me ta, siç ka bërë deri tash”.
“Unë besoj që kjo do të ketë ndikim edhe tek veprimet që ndërlidhen me zgjedhjet e parakohshme për të cilat unë jam i bindur që ne do t’i mbajmë në vitin 2024”, ka deklaruar Krasniqi, në këtë intervistë.
Kryetari i Partisë Demokratike ka komentuar dhe sondazhin e publikuar gjatë muajit dhjetor, ku partia në pushtet del se ka ende përkrahje të madhe. Ai e ka quajtur të papranueshme përfshirjen e ish-presidentit Thaçi e ish-kryeparlamentarit Veseli, në këtë sondazh dhe në diskutimet ditore politike.
“Sondazhi i vetëm që vlen është sondazhi i kutisë së votimit dhe dita e zgjedhjeve… Nëse kryeministri vërtet beson në sondazhe të tilla, nëse ai përnjëmend mendon se populli ende vazhdon që të mbështesë, unë e ftoj që t’i shpallim zgjedhjet qysh sot”, thotë Krasniqi, i cili shton se “për t’ia ruajtur egon” Kurtit, mund të shpërndahet Kuvendi dhe jo ai të japë dorëheqje.