Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Rrëzohet Vetingu i Albin Kurtit, tri vjet qeverisje, një Veting evropian nuk e kreu, kush të pengoi znj. Haxhiu?

Rrëzohet Vetingu i Albin Kurtit, tri vjet qeverisje, një Veting evropian nuk e kreu, kush të pengoi znj. Haxhiu?

Nuk ishin të pakta debatet politike, dhe jo vetëm, për temën më me interes pa dyshim për funksionalitetin premtues të sundimit të ligjit, çfarë është Vetingu, si një instrument i verifikimit të integritetit dhe i pastërtisë.

Thelbi i problemit qëndron në përshkrimin dhe modelin e këtij lloj Vetingu që e ideoi fillimisht, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke parashikuar kalimin nëpër këtë proces në shkallë të gjerë të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve, gjë për të cilën edhe Komisioni i Venecias, e edhe legalistë të tjerë vendorë ngrehën dilema reale.

Por, viti 2023 përfundoi me një dritë në fund të tunelit pasi Gjykaka Kushtetuese mori në konsideratë draftin me ndryshime pas shumë përplasjeve në Kuvend se çfarë lloj Vetingu po e dëshiron Qeveria Kurti. Dhe, prandaj pothuajse tërë vitin, kjo temë ka përballë mazhorancën e Kurtit dhe opozitën, deri në ato përmasa sa që kjo çështje shkoi për opinion edhe në Komisionin e Venecias me inisistim të kryeparlamentarit Glauk Konjufca. Kjo nismë me rëndësi, përfshiu edhe selitë diplomatike në Kosovë, Brukselin dhe edhe Washingtonin, në kërkim të gjetjes së një formule që garanton parasegjithash standardet evropiane, që parandalon dorën e Qeverisë për hakmarrje e po kështu një model që përbrendëson respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, duke e reduktuar tashmë Vetingun vetëm për nivele të larta të sistemit të drejtësisë.

Vetingu është një proces i pandalshëm dhe shihet të jetë me ineteres për vet sistemin e drejtësisë, “krasitjen e degëve të qelbura” përbrenda tij.

Se si do të nis ky Veting, kush do të jetë në strukturën e tij, cili do të jetë raporti me Kuvendin, Qeverinë, a do të jetë trupë e veçantë që përbëhet vetëm nga gjyqtarë, prokurorë, policë e specialistë të pavarur, e shumë pyetje të tjera ende mbesin pa përgjigje të detajuara operative. Rëndësia qëndron në faktin jetik se tashmë topi ndodhet në Qeverinë Kurti, nëse ajo e ka gatishmërinë serioze që të marrë në konsideratë rekomandimet e Komisionit të Venacias dhe mbi të gjitha opinionin e Gjykatës Kushtetuese.

Para më shumë se dy javësh, një lajm  e gëzoi ministren e Drejtësië, kur ajo pohoi se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e pranoi kërkesën e dorëzuar nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, lidhur me amendamentet për Vetingun në sistemin e drejtësisë.

“Gjykata Kushtetuese i dha dritë të gjelbër Vetingut për nivelet e larta të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përmes një mekanizmi të jashtëm”.Ndonëse për më shumë se 9 muaj vonesë, Gjykata konfirmoi çfarë është përcaktuar për këtë proces jetik për shtetin e së drejtës. Ne jemi të përcaktuar që me vullnet dhe përkushtim të tejkalojmë secilën pengesë që do të na dalë. Në përputhje me zotimet tona, me vullnetin e shprehur qytetar do të bëjmë reformën e thellë në atë çka qytetarët e kërkojnë më së shumti, drejtësi”, deklaroi kështu ministrja Haxhiu në llogarinë e saj në Facebook.

Kritikët ndaj pushtetit të Kurtit megjithatë kanë shfaqë dilemat duke e shtruar edhe pyetjen legjetime në pikëpamje të asaj se kush po e formulon këtë ligj. Është ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila vet ka rekorde recidiviste për shkelje ligjesh. Kjo është e para. Dhe, çështja e dytë manifeston shqetësimin sistematik sa i përket abuzimit të pozicionit shtetëror nga ana znj.Haxhiu, duke ndërhyrë në sistemin e drejtësisë me deklarata edhe publike. Pikërisht për këtë ka pasur përplasje midis Prokurorisë dhe vet znj. Haxhiut dhe shefit të saj, kryeministrit Albin Kurti. Nën dritën e këtij debati për shembull, politikanët në pushtet, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, kryeministri Kurti dhe znj. Haxhiu, dolën me akuza për emra prokurorësh që nuk po e kryejnë punën e tyre. Rasti i mos-dekretimit për kryeprokuror të Blerim Isufajt, pa dhënë shpjegime të plota, e përfshiu edhe presidenten Osmani në këtë “stuhi” të pushtetit kundër Këshillit Prokurorial të Kosovës. Beteja vijon edhe tani, më 2024.

Megjithë vërejtjet për efikasitetin e diskutueshëm të sistemit të drejtësisë, pyetja tjetër logjike është se cili ishte zori i ministrës Haxhiu që pa asnjë drojë t’u tregoj prokurorëve se kujt t’i ngrehin aktakuzë e kujt jo. Kritikat për sistemin e drejësisë, Qeveria Kurti, i shndërroi në dëshirë agravuese për ta bërë vet-gjyqësinë, duke i sulmuar pa dyshim me taktizim prokurorët që t’i frikësojë ata në mënyrë që të mos i trajtojnë dyshimet e forta publike për korrupsionin dhe aferat e Qeverisë Kurti. Deri më tash, Kurti dhe Haxhiu, nuk ia kanë arritur për ta vënë nën kontroll sistemin e drejtësisë. Beteja edhe këtë vit do të vijoj të përplas, në një situatë të paprecedent për demokracinë, pushtetin ekzekutiv me atë prokurorial e gjyqësor. Kjo evidentohet edhe në Raportin e Progresit të funbdvitit të kaluar të BE-së për Kosovën.

Të rikthejmë memorien e fitores plebishitare të Levizjës Vetëvendosje më 14 shkurt 2021. Njëra prej kauza kryesore ishte edhe Vetingu. Kosovën, kjo Qeveri po e drejton që prej tre vjetësh dhe procesi i Vetingut ende nuk është kryer. A mund të përmblidhet kjo me një bilanc dështimi deri më tash?! Pa asnjë diskutim se po. Sepse ishte ministrja Haxhiu, ajo që nuk i mori në konsideratë, përkatësisht u soll me shpërfillje ndaj secilës këshillë, për ta mbaruar këtë proces kritik.

Çfarë bëri në këtë periudhë ministrja e Drejtësisë? Hartoi  koncept-dokumentin për zhvillimin e procesit të Vetingut në sistemin e drejtësisë, hartoi amendamentet kushtetuese dhe nën situatën pa shtegdalje, nga zori, i dërgoi këto në Komision të Venecias.

Debatet me vokacion akuzash të rënda në Kuvendin e Kosovës, e nxitën kreun e këtij institucioni, z. Glauk Konjufca që më 2 mars 2023, edhe pas përfundimit të punës së Komisionit Ad Hoc për vetingun, t’i përcjell amendamentet Kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese.

Kryeparlamentari kishte pohuar në atë kohë se këtë veprim e ndërmorri për të marrë përgjigje nëse të njëjtat janë në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që ka të bëjë me të drejtat dhe liritë e njeriut.

2024, është njëherit edhe vit elektoral. A do të mund të justifikohet kjo qeveri pse nuk e mbaroi procesin e Vetingut sipas standardeve evropiane?! Në rrethana normale politike JO. Mbase pushteti i Kurtit mund ta projektoj një alibi për faj, do të vijoj ta akuzoj opozitën e dobët në Kuvend se e pengoi këtë proces. Kush do t’i besoj Qeverisë Kurti për këtë? Ka të ngjarë trupi në tkurrje militant elektoral por assesi qytetarët.

Shkruan: Ridvan Berisha

Powered by WordPress