Gjatë këtij viti, Përfaqësuesja e Kosovës në futboll u paraqit në kualifikueset për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Para fillimit të këtyre kualifikueseve, Federata e Futbollit të Kosovës e kishte bërë kampanjë me moton “Me Kosovën në Evropian”, por planet nuk shkuan ashtu siç duhet.
Ekipi “Dardan” e pati një aventurë për t’u harruar në këto kualifikime.
Kosova u përball me shumë probleme, duke nisur nga rezultatet e deri tek i pari i FFK-së, Agim Ademi, i cili u përball disa herë me drejtësinë në vendin tonë.
Sa u përket kualifikueseve, verdh e kaltrit ishin të vendosur në Grupin I së bashku me Zvicrën, Rumaninë, Bjellorusinë, Andorrën e Izraelin. “Dardanët” e nisën tejet dobët këtë cikël kualifikues.
Gjatë marsit barazuan me Izraelin e Andorrën, derisa në qershor e morën vetëm një pikë ndaj Rumanisë e pësuan humbje nga Bjellorusia në udhëtim.
Kjo përballje ishte e fundit për trajnerin Alain Giresse, i cili u shkarkua nga detyra menjëherë të nesërmen për shkak të rezultateve tejet të dobëta, të cilat filluan t’ia shuajnë ëndrrën për Evropian, qysh pas katër ndeshjeve.
Më pas, në ndeshjet në vazhdim timonin e Kombëtares e mori trajneri slloven Primoz Gliha, i cili pati ecuri të mirë të rezultateve por ndikoi keq në harmoninë e ekipit me sjelljet e tij.
Gliha e udhëhoqi Kosovën në gjashtë ndeshje, i arriti dy fitore, dy barazim e po aq humbje, për të përfunduar në vendin e pestë me 11 pikë, plotë gjashtë më pak se Zvicra e dyta.
Pas përfundimit të kësaj kampanje dëshpëruese, Federata e futbollit të Kosovës njoftoi opinionin se e ka liruar nga detyra e trajnerit Primoz Gliha, derisa kishte paralajmëruar reforma rrënjësore, por kur kanë kaluar dy muaj ende nuk ka ndonjë lëvizje në këtë drejtim. /Gazeta Express/