Edhe pse fishekzjarrët mund të konsiderohen si simbol i festave të fundvitit, bëhet thirrje që përdorimi i tyre të bëhet në përmasa sa më të vogla, për shkak të rrezikut që mund të shkaktojnë.
Gjatë festave të fundvitit, grup-mosha të ndryshme, përfshirë edhe fëmijët përdorin mjetet piroteknike për t’u argëtuar.
Për këtë vit, përmes Doganave të Kosovës janë importuar mbi 170 mijë kilogramë mjete piroteknike të llojeve të ndryshme, ndërsa ekspertët e sigurisë kërkojnë që përdorimi i tyre të bëhet sa më pak që të jetë i mundur.
Në një prononcim për KosovaPress, eksperti i sigurisë, Avni Islami thotë se duhet rritur vetëdijesimi te qytetarët pasi dëmet dhe rreziku për shëndetin e tyre nga përdorimi i mjeteve piroteknike janë të mëdha.
Ai kërkon që fëmijët të mos përdorin mjete piroteknike, derisa të rriturit duhet treguar kujdes edhe për vendin se ku ata i përdorin.
Edhe specialisti i ajrit në Institutin Hidrometeorologjik (IHM), Shkumbin Shala, thotë se si pasojë e shpërthimit të mjeteve piroteknike ndotja kalon trefishin e vlerave normale të ajrit.
Ai tregon se gjatë shpërthimit të fishekzjarrëve lirohen mijëra grimca pluhuri me përmbajtje të gazrave ndotëse si qymyr, sulfat, nitrate dhe elemente tjera.
Shala thotë se 31 dhjetori ose 1 janari regjistrojnë vlera rekorde të ndotjes së ajrit brenda vitit kalendarik. Ai bën thirrje që fishekzjarrët të përdoren sa më pak, në mënyrë që mos të ndotet ajri.
Në një përgjigje përmes emalit, Dogana e Kosovës njofton se gjatë këtij vit janë importuar rreth 171 mijë kilogramë mjete piroteknike, kryesisht nga Kina.
Ndryshe, përdorimi i mjeteve piroteknike ka shkaktuar lëndime të ndryshme trupore, për çka edhe kanë raportuar nga shërbimi emergjent pothuajse çdo vit me rastin e ndërrimit të mot-motit.
/TV Arbëria