Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Scholzi në fjalimin e Vitit të Ri: Bota jonë është bërë një vend më i paqëndrueshëm

Scholzi në fjalimin e Vitit të Ri: Bota jonë është bërë një vend më i paqëndrueshëm

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka përdorur fjalimin e tij të Vitit të Ri për t’u bërë thirrje qytetarëve të vendit që të mos e humbin besimin në të ardhmen, ndërsa ata po përshtaten me një botë që përjeton kriza të shumta dhe që po ndryshon me ritëm gjithnjë më të shpejtë, shkruan agjencia “AP”.

“Kaq shumë vuajtje; aq shumë gjakderdhje. Bota jonë është bërë një vend më i paqëndrueshëm dhe më i ashpër. Po ndryshon me një shpejtësi marramendëse”, ka thënë Scholz në një fjalim të regjistruar që do të transmetohet sot.

Scholz po i referohej pushtimit rus të Ukrainës, që rezultoi me rritje të çmimeve të energjisë, po ashtu vuajtjes nga pandemia e koronavirusit si dhe sulmit të Hamasit ndaj Izraelit që nxiti ofensivën ushtarake izraelite në Gaza.

“Rezultati është se ne, po ashtu, po kemi ndryshim. Është gjë shqetësuese për shumë prej nesh. Te disa, shkakton edhe pakënaqësi. Unë e kam afër zemrës. Por e di këtë: Ne në Gjermani do ta kalojmë këtë”, ka thënë Scholz.

Kancelari ka vënë në dukje se, pavarësisht shqetësimeve që pati një vit më parë, gjermanët nuk mbetën pa ngrohje vitin e kaluar, pasi Rusia ndërpreu furnizimin me gaz natyror për Evropën.

“Gjërat dolën më ndryshe. Inflacioni ka rënë. Pagat dhe pensionet po rriten. Depozitat tona me gaz janë mbushur plotë për dimër”, tha Scholz.

Qeveria e drejtuar nga Scholzi është bërë e njohur për grindjet e brendshme gjatë dy vjetëve të fundit dhe ka pasur rënie në sondazhe.

Ekonomia e Gjermanisë po ashtu po performon dobët, por Scholz prapë u mundua ta “vizatojë” një pamje më pozitive të vitit të ardhshëm.

Shumë familje do të duhet të paguajnë më pak taksa dhe Qeveria planifikon të investojë para në infrastrukturën e transportit dhe po ashtu energji të pastër.

“’Kush do të menaxhojë, nëse jo ju në Gjermani’ – është diçka që dëgjojë nga shumë njerëz rreth nesh në Evropë dhe nëpër botë. Dhe ka diçka në këtë. Më tepër burra dhe gra kanë vende pune në Gjermani sot sesa që kishin në të kaluarën”, tha Scholz.

Scholz po ashtu ka theksuar rëndësinë e Bashkimit Evropian, veçanërisht në kohë krize.

“Forca jonë qëndron në Bashkimin Evropian. Kur BE-ja paraqet një front të bashkuar, ajo flet për më shumë se 400 milionë njerëz. Në një botë prej 8 miliardë banorëve, së shpejti 10 miliardë, është një pasuri e vërtetë”, tha Scholz.

Mirëpo, Scholz ka thënë se Gjermanisë i duhet puna e gjithë njerëzve për ta shtyrë vendin para.

“Bashkëqytetarët e mi, forca jonë qëndron në të kuptuar se secili prej nesh është i nevojshëm në vendin tonë – si shkencëtari më i mirë ashtu edhe kujdestari, si polici ashtu edhe shoferi i dërgesave, si pensionisti ashtu edhe praktikanti. Nëse e kuptojmë këtë, nëse e trajtojmë njëri-tjetrin në frymë respekti, atëherë nuk duhet të kemi frikë për të ardhmen. Atëherë viti 2024 do të jetë një vit i mirë për vendin tonë, edhe nëse disa gjëra dalin ndryshe nga mënyra se si i imagjinojmë sot, në prag të Vitit të Ri”, ka thënë Scholz.

/TV Arbëria

Powered by WordPress